Një takim i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial. Foto: BIRN

Bosnja Shpreson t'i Përfundojë Rastet e Krimeve të Luftës Deri në Vitin 2023

Mbikëqyrësi gjyqësor i Bosnjës, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, ka mbështetur ndryshimet e propozuara në strategjinë kombëtare të krimeve të luftës për të trajtuar vonesat në procesimin e qindra rasteve dhe për t’u siguruar që ato të përfundojnë brenda pesë vjetësh.

BIRN mësoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të enjten vendosi të mbështesë ndryshimet në strategjinë e krimeve të luftës të Bosnjës dhe Hercegovinës me qëllim që të sigurojë që të gjitha rastet e mbetura në vend të mund të përpunohen përfundimisht deri në vitin 2023.

Siç tregohet në draftin e strategjisë, të cilin BIRN e ka siguruar, prokuroria shtetërore ka më shumë se 550 çështje të pazgjidhura krimesh lufte, në të cilat janë identifikuar më shumë se 4,500 autorë, si edhe shumë çështje të tjera me autorë  krimesh të paindetifikuar.

Strategjia shtetërore u miratua fillimisht në vitin 2008 dhe parashikoi se çështjet më komplekse të krimeve të luftës duhet të përfundonin brenda shtatë vjetëve.

Për shkak se ky afat nuk u përmbush, u ngrit një grup pune për të hartuar ndryshime në strategjinë origjinale.

Drafti i strategjisë së rishikuar thotë se është e nevojshme që gjykata shtetërore t’i japë më shumë përparësi përpunimit të rasteve me të dyshuar të rëndësishëm.

Kur vjen puna te klasifikimi i çështjeve si “komplekse” ose “më pak komplekse”, nevojitet të bihet dakord se në cilin nivel të sistemit gjyqësor të vendit do të procesohen ato.

Një nga qëllimet e përcaktuara në strategji është sigurimi i shpërndarjes efikase të rasteve në gjykatat e nivelit më të ulët në dy entitetet e Bosnjës dhe në distriktin e Brckos – një proces që deri më tani ka rezultuar joadekuat.

“Shpërndarja e pabarabartë e rasteve, si dhe përpunimi i rasteve më pak të ndërlikuara nga prokuroria dhe gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës janë ndër shkaqet e procesimit joefikas të rasteve më komplekse të krimeve të luftës dhe skadimit të afatit fillestar shtatëvjeçar të përcaktuar në strategji,” thuhet në strategjinë e re.

Pasi një numër i konsiderueshëm rastesh të jenë transferuar në gjykatat e entiteteve dhe Brckos, do të jetë e nevojshme të përforcohen burimet njerëzore që do të merren me këto çështje dhe ministritë lokale do të priten të sigurojnë burime financiare, thotë draft strategjia.

Për të siguruar një punë cilësore për rastet e krimeve të luftës, do të shtohen përpjekjet në forcimin e kapaciteteve gjyqësore dhe prokuroriale si edhe në trajnimin dhe edukimin e personelit, shton ajo.

Bashkëpunimi me vendet e tjera në rajon duhet të përmirësohet, sepse mekanizmat ekzistues të bashkëpunimit nuk kanë zgjidhur në mënyrë adekuate referimet për rastet e krimeve të luftës nga një vend në tjetrin ose ekstradimin e të dyshuarve që kanë shtetësi të dyfishtë.

Strategjia e re gjithashtu synon të përditësojë numrin e çështjeve që janë lënë në pritje para gjykatës dhe prokurorisë shtetërore.

“Brenda afatit prej 30 ditësh pas miratimit të rishikimeve dhe ndryshimeve në strategji, prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të përditësojë regjistrin ekzistues të rasteve të krimeve të luftës dhe t’i klasifikojë ato si raste komplekse ose më pak komplekse,” tregon draft strategjia.

Një seancë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të enjten votoi unanimisht që të mbështesë propozimin për strategjinë e rishikuar dhe tha se ajo duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave të vendit.