Vendi ku ndodhi sulmi me bombë - Foto: Rtv21

Biznesmenit Feriz Dervishi i hidhet vetura në erë

Ky harabel i vogël nuk i mbijetoi sulmit me bombë, por fatmirësisht viktima në njerëz nuk pati.

Cak i sulmit ishte biznesmeni dhe politikani nga Kumanova, Feriz Dervishi, vetura e të cilit u hodh në ajër.

Dervishi tha se nuk e di qëllimin e sulmuesit.

“Veturën dje në ora katër e kam parkuar këtu. Isha në fshat, u ktheva me tjetër veturë. Rreth orës 22:20 dola deri tek kafeneja, qëndrova deri në ora 00:00 me disa shokë. Në ora 00:05 kam arritur këtu, e lash veturën para derës… Unë nuk jam ruajtur nga askush, nuk kam shikuar anash se a më përcjell dikush. Hyra brenda në shtëpi, u bëra gati për të fjetur. Pas 3 ose 4 minutave e dëgjova një shpërthim shumë të fuqishëm sa që u dridh krejt shtëpia. A e ka paguar dikush apo jo, apo me ndonjë tjetër qëllim? Unë mund të them vetëm se kjo është xhelozi e tepruar!”, tha Dervishi, shkruan tv21.tv.

Mjeti shpërthyes ishte vendosur poshtë makinës, kurse nuk ka qenë rëndë të vendoset sepse ka pasur magnet.

Dervishi tha se në vendin ku e parkon veturën ka mundur të ketë fëmijë.

“Jo vetëm fëmijë të djemve, por ka këtu edhe të komshinjve që lozin këtu… Brenda ditës këtu i sheh 12, 13 fëmijë, tragjedia do të ishte shumë më e madhe në  qoftë se edhe një fëmijë të ishte lënduar. Mua dëmet materiale nuk më prekin, por do të isha prek shumë në qoftë se një fëmijë i kujtdo apo ndonjë person tjetër ishte lënduar”, u shpreh Dervishi.

Djali i Ferizit ka thirrur menjëherë policinë, e ata pasi bën ekspertizën në vendngjarje, e morën veturën për ekzaminime të mëtutjeshme.

Në raportin ditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme është i evidentuar rasti, dhe se po punohet në zbardhjen e rastit./21Media