Planet e kandidatit të vetëm shqiptar për kryetar të Kumanovës

Kandidati i vetëm shqiptar në Kumanovë për zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut, Bekim Saliu nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa përmes një interviste për KALLXO.com ka treguar planet e tij për qytetarët që jetojnë në këtë komunë.

Sipas regjistrimeve të fundit zyrtare në Kumanovë jetojnë rreth 25% qytetarë të kombësisë shqiptare, por Saliu është i vetmi kandidat shqiptarë kundër 4 kandidatëve të tjerë.

Në një intervistë për KALLXO.com, Saliu ka folur për situatën me pandeminë COVID-19 në Kumanovë e për planprogramin e tij për shëndetësinë, arsimin, urbanizmin, zhvillimin ekonomik, sigurinë publike e mirëqenien sociale të qytetarëve kumanovas.

Një nga planet e tij është investimi në shërbimet komunale përmes digjitalizimit në mënyrë që të ktijohet infrastrukturë për qasje më të lehtë për të gjithë qytetarët e komunës, e reformim të shërbimeve shëndetësore.

“Do të bëjmë bashkimin e shtëpive të shëndetit me spitalet e përgjithshme të qytetit, rritje të investimeve në renovimin e infrastrukturës së stërvjetruar së spitalit të qytetit, rinovimi i ambulantes në Lagjen e Trimave dhe vendosja në shërbim të qytetarëve si dhe hapje të qendrave për mjekësi urgjente”, ka thënë Saliu.

Tutje ai ka deklaruar se do të kujdeset që qytetarët të kenë ujë të pijshëm në qendrat mjekësore e shkollat në disa vende ku mungon në tërësi uji i pijshëm.

Saliu ka premtuar se do ta zgjidhë këtë problem në fshatin Rramanli dhe në fshatin Llopat, ndonëse sipas tij, për zgjidhjen e këtij problemi duhet një kosto e lartë monetare.

Në anën tjetër, Saliu ka kritikuar qeverisjen e tanishme se i ka lënë nxënësit të mësojnë në kushte shumë të vështira e në objekte ku më herët janë mbledhur produktet bujqësore.

“Problemi esencial është se në Kumanovë shqiptarët kanë hall të madh me objektet për shkollat e mesme, si gjimnazin “Sami Frashëri” por edhe shkollën e mesme të teknikës e mjekësisë. Kushtet ku zhvillohet procesi edukativo arsimor janë për keqardhje, shkolla ka qenë objekt ku në të kaluarën janë tubuar produktet bujqësore, ndërsa nxënësit e mjekësisë mësojnë nëpër barakë, ku s’ka as kushte elementare për mësim”,

Ai ka deklaruar se në programine  tij e ka edhe edhe ndërtimin e tri çerdheve.

Zhvillimi ekonomik i Kumanovës sipas Saliut

Saliu në intervistën dhënë për KALLXO.com është zotuar se në mandatin e tij qeverisës do të punojë për krijimin e ndërmarrjeve komunale e përkrahjen e bizneseve lokale.

Ai poshtu është zotuar se do të punojë që studentët të orientohen në programet deficitare e aftësim profesional në mënyrë që të krijohen më pas vende të reja të punës.

“Miratimi i një plani zhvillimor komunal, që synon zhvillim të qëndrueshëm mjedisor dhe të barabartë shoqëror, programe trajnimi dhe mbështetje të NVM-ve për e-tregti, krijimi i zyrës së ekonomisë lokale për të mbështetur individualisht NVM-të dhe sipërmarrësit përmes ofrimit të shërbimeve specifike, projekte për “fshatra inteligjente”, si ndihmesë për fermerët për t’i promovuar produktet lokale, turizmin rural, si dhe aktivitetet kulturore rurale, promovimi dhe valorizimi i produkteve lokale, duke mbështetur prodhuesit lokalë në prokurimet komunale”, ka thënë Saliu.

Urbanizimi në Kumanovë

Ndërsa sa i përket urbanizimit, Saliu ka thënë se do të përqendrohet në modernizimin dhe adresimin e pabarazisë në sektorët e mobilitetit, rrugëve, infrastrukturës komunale, planifikimit hapësinor, tokës ndërtimore dhe energjisë.

“Prioritete të veçanta do të kenë rritja e konektivitetit lokal dhe atij rajonal, si dhe avancimi dhe modernizimi i infrastrukturës lokale, veçanërisht sa i përket ujit të pijshëm, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të zeza. Komuna do jetë vend me infrastrukturë më të përparuar duke adaptuar planin zhvillimor me nevojat investuese në infrastrukturë, uljen drastike të konsumit energjetik, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, zonave natyrore dhe mbrojtjen e biodiversitetit”, ka premtuar ai.

Më pas, Saliu ka thënë se në programin e tij qeverisës kanë ndërtimin e 2 parqeve të reja në ‘Lagjen e Trimave’ dhe ‘Bajram Shabani’ dhe rinovimin e parkut të qytetit.

Digjitalizimi i shërbimeve komunale nën qeverisjen e Saliut

Saliu thotë se përmes programit të tij qeverisës ka paraparë edhe e-qeverisjen përmes një platforme unike.

“Instalimi i sporteleve elektronike që ofrojnë shërbime të përhershme, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, qasje më e mirë në infrastrukturën komunale për personat më lëvizshmëri të zvogëluar, promovimi i një shërbimi cilësor dhe me kosto më të ulët për qytetarët në sektorët e shpërndarjes së ujit, planifikimit hapësinor apo trajtimit të mbeturinave, hapja e zyrës së veçantë për diasporën”, ka thënë Saliu.

Mbrojtja e natyrës në Kumanovë

Saliu në intervistë ka qenë shumë i ashpër me degraduesit e ambientit nga qytetarët, duke u zotuar se do të punojnë që të ruajnë ambientin në Kumanovë.

Saliu ka thënë se parasheh që komuna të subvencionojë të gjithë dashamirët e natyrës me pemë e drurë zbukurues e monitorim të përhershëm të pastërtisë publike.

“Dënime administrative për të gjitha veprimet delikuente dhe degraduese të hapësirës publike, instalimi i një sistemi të kamerave inteligjente, zbatimin e një plani të ndriçimit të qëndrueshëm, i cili mundëson vënien në pah të trashëgimisë komunale dhe kontribuon në rritjen e ndjenjës së sigurisë, forcimi i shërbimeve zjarrfikëse, zgjidhjen e problemit të qenve dhe maceve endacake, duke u dhënë një subvencion qytetarëve që duan të sterilizojnë dhe çipojnë qentë dhe macet e tyre dhe duke krijuar strehimore rajonale për qentë endacakë, vendosje të kontejnerëve inteligjentë, ”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Saliu ka thënë se do të emërojnë 50 për qind gra në drejtoritë komunale.