
Foto: Alsat M
Shpërthen bombola e gazit në Kumanovë, 3 të vdekur e 6 të plagosur
Një bombol gazi ka shpërthyer këtë mëngjes në një shtëpi në fshatin Rramanli të Kumanovës duke shkaktuar më pas një zjarr të madh dhe si pasojë ka lënë 3 të vdekur dhe 6 të plagosur, raporton Alsat M.
Sipas informacioneve fillestare nga MPB, tre persona vdiqën në vend dhe gjashtë përfunduan me lëndime të rënda. Ata janë transferuar në spitalin e Kumanovës, por për shkak të seriozitetit të plagëve do të dërgohen në Qendrën e Urgjencës në Shkup.
Aktualisht një prokuror publik dhe një ekip nga SPB Kumanovë po kryejnë inspektimet në terren.
Alsat M ka bërë të ditur identitetin e tre personave që mbetën të vdekur nga shpërthimi i bombolës së gazit. Të tre viktimat janë fëmijë nga mosha 8 deri në moshën 11 vjeçare. Inicialet e viktimave janë S.B – 11 vjeçare, F.S – 8 vjeç dhe S.S – 9 vjeç.
Më shumë informacion mbi vendin e ngjarjes dhe shëndetin e të dëmtuarve do të mësohen gjatë gjithë ditës.