Avokati i Popullit për ‘Lumbardhin’ e Pejës: Të respektohet e drejta e qytetarëve

Avokati i Popullit përmes një komunikate për media, ka njoftuar se është duke i monitoruar nga afër reagimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve lidhur me ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lumbardhë të Pejës.

“Edhe pse zhvillimi i formave të ndryshme të sigurimit të energjisë së qëndrueshme është proces i pashmangshëm dhe kërkesë e kohës, Avokati i Popullit sjell në vëmendje se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pacenueshme dhe bazë e rendit juridik në Republikës së Kosovës; dhe kërkon që shteti ta vlerësojë me kujdes interesin në mes të  rëndësisë së prodhimit të energjisë përmes hidrocentraleve në raport me ndikimin në mjedis, që mund të jetë i rëndë”, thuhet në njoftim.

Avokati i Popullit ka kërkuar nga institucionet që ta ta shqyrtojnë seriozisht kërkesën e qytetarëve për mbrojtjen e lumit dhe mjedisit.

“Avokati i Popullit konsideron se është më se e nevojshme që institucionet ta shqyrtojnë seriozisht kërkesën e qytetarëve për mbrojtjen e lumit/mjedisit si një e vetme dhe e patjetërsueshëm, në mënyrë që të bëhet balancim i drejtë në mes të interesave të qytetarëve për mbrojtje të mjedisit, të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të zhvillimit të hidro-energjisë”, vijon komunikata.

Avokati i Popullit ka rikujtuar të gjithë se e drejta e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e vendit dhe me standardet ndërkombëtare, “proces i cila i jep mundësi secilit që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo/ai jeton”.

Sipas Avokatit të Popullit, institucionet, në veçanti, duhet ta respektojnë të drejtën e qytetarëve për informim për çështjet mjedisore, si proces i pashmangshëm, i cili duhet t’i paraprijë çdo projekti me ndikim në mjedis.

“ E drejta për informata mjedisore, e drejta e publikut në vendimmarrje mjedisore dhe qasja në drejtësi janë të drejta të njeriut dhe parime mbi të cilat bazohet i tërë legjislacioni që rregullon fushën e mjedisit në vend. Institucioni i Avokatit të Popullit është duke e ndjekur nga afër edhe ndërtimin e hidrocentraleve të tjera në vend, të cilat po ashtu kanë nxitur pakënaqësi te qytetarët”, përfundon komunikata.

Ndërkohë, të hënën mijëra qytetarë kanë mbushur sot sheshin kryesor të Pejës për ta kundërshtuar projektin më të ri të ndërtimit të një hidrocentrali në Lumbardh.

Ndërkaq,  kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar se ka kërkuar ndërprerjen e procedurave të ndërtimit të projektit të Hidrocentralit të Lumbardh.

 

https://kallxo.com/pejanet-i-thone-jo-hidrocentralit-ne-lumbardh-foto/

 

https://kallxo.com/pas-protestave-kryeministri-nderpret-projektin-e-hidrocentralit-ne-lumbardh/

.