Policia e Shtetit- Tirane- Foto: Policia e Shtetit/Facebook

Arrestohet nga policia për vjedhje e dëmtim të objekteve në një kishë në Shkodër

Policia e Shtetit ka arrestuar një person si të dyshuar për vjedhje dhe dëmtim për disa objekte kulti fetar në “Kishën Françeskane” në Shkodër.

Me anë të një njoftimi policia ka dhënë sqarime se 26 vjeçari nga Shkodra inicialet e të cilin janë K. A është arrestuar në flagrancë nga strukturat e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”.

Sipas Policisë së Shtetit, i njëjti është dënuar edhe më parë për veprën penale vjedhje.

“Arrestimi i tij u bë pasi në Kishën Françeskane, në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, ka vjedhur një sasi lekësh, si dhe ka dëmtuar disa objekte të kultit fetar me vlerë të kësaj Kishe”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet në lidhje me rastin i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Shkodër për veprat penale të “Vjedhje” dhe “Shkatërrimi i veprave kulturore”.