Diskutimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO - Foto: KALLXO.com

‘Anëtarësimi në UNESCO, i Lidhur me Ruajtjen e Trashëgimisë Serbe’

Çështja e pranimit të Kosovës në UNESCO dhe trashëgimia kulturore serbe janë trajtuar në një diskutim të organizuar nga Qendra Multimediale në bashkëpunim me Institutin e Filozofisë  dhe Teorisë Sociale nga Universiteti i Beogradit.

Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe publicisti kosovar, Shkelzen Maliqi, i cili tha se çështja e pranimit të Kosovës në UNESCO ka qenë dhe është e rëndësishme për shkak se lidhet me esencën e procesit të njohjes së plotë të sovranitetit të Kosovës.

“Serbia ka provuar që pas shpalljes se Pavarësisë së Kosovës ta qet këtë çështje në  Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë por e ka humbur çështjen”, tha ai.

Pjesë e këtij diskutimi ishin edhe Sonja Biserko, aktiviste  për të drejtat e njeriut në Serbi, e cila në mënyrë aktive promovon dialogun Kosovë-Serbi, Dimitris Moschopouolos, ish-ambasador i Greqisë në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë dhe Aleksandar Pavloviq nga Instituti për Filozofi dhe Teori Sociale në Beograd.

Dimitris Moschopouolos tha se një ndër çështjet kryesore që do ta anëtarësonte Kosovën në UNESCO është ruajtja e trashëgimisë serbe.

Kosova kishte tentuar të anëtarësohej në UNESCO, por kishte dështuar, sidomos për shkak të luftës që e kishte bërë Serbia kundër këtij anëtarësimi.

http://kallxo.com/kosova-deshton-per-tri-vota-ne-unesco/

Dy vendet po përgatiten sërish për votimin e radhës për këtë çështje, që mund të mbahet sivjet. Megjithatë, institucionet kosovare ende nuk kanë vendosur nëse do të aplikojnë edhe sivjet.

Redaktoi: Naser Sertolli