Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Kosova karshi INTERPOL-it dhe UNESCO-s, pas skadimit të moratoriumit

Gjumi një vjeçar i diplomacisë kosovare, ishte paraparë të mbaronte më 4 shtator të këtij viti, kur edhe përfundonte moratoriumi që parashihte që Kosova të mos aplikoj në organizata ndërkombëtare e si kundërpeshë Serbia të ndalë fushatën e ç‘njohjeve. Moratoriumi ishte njëra nga pikat e zotimeve që kishin nënshkruar në Uashtington ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në prezencë të ish presidentit amerikan Donald Trump.

Një ditë përpara se të përfundonte ky moratorium, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikan, inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që ta vazhdojnë këtë moratorium.

Nga Qeveria e Kosovës, ende nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare nëse do të merret parasysh kërkesa e DASH-it.

I pyetur për këtë kërkesë, dhe nëse është bërë ndonjë përgatitje për të aplikuar në organizata ndërkombëtare, zëvendëskryeministri i Kosovës për Dialog, Besnik Bislimi tha se ‘moratoriumit i ka skaduar mandati’.

“Është me rëndësi për ta që moratoriumi ka pasur një mandat njëvjeçar, moratoriumit i ka skaduar mandati me 4 shtator”, tha Bislimi në një konferencë për media të mërkurën pas kthimit nga Brukseli.

Ferdinand Nikolla, këshilltarë politik i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se këtë vit nuk do të ketë aplikim për INTERPOL.

“Marrë parasysh mospërgatitjen serioze të institucioneve të Kosovës në të kaluarën, MPB ka vendosur që në sesionin e këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, të mos aplikoj për anëtarësim”, ka thënë ai.

Nikolla tha se kanë krijuar një grup punues për të përgatitur dokumentacionin dhe hapat, që vitin e ardhshëm aplikimi të jetë i suksesshëm.

“Në këtë proces strategjik, përveç tjerash, MPB dhe MPJD do të fillojnë komunikimin e drejtpërdrejtë më aleatët tanë dhe shtetet anëtare të INTERPOL-it për të kërkuar mbështetjen e tyre dhe për të argumentuar kontributin dhe rëndësinë që anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka në luftimin e krimit transnacional dhe garantim e sigurisë në nivel rajonal dhe ndërkombëtarë”, theksoi ai.

KALLXO.com ka kërkuar të marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ), nëse Kosova do të aplikoj në UNESCO një organizatë e rëndësishme ndërkombëtare kjo, dhe për përgatitjet që janë bërë për të, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë marr përgjigje.

Në anën tjetër, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë që pas skadimit të moratoriumit 1 vjeçar, Kosova do të vazhdoj agjendën e saj në koordinim më partnerët.

“Kur bëhet fjalë për organizata të tjera si INTERPOL, UNESCO dhe të tjera, do të ulemi, koordinohemi dhe të punojmë së bashku, të bëjmë një plan me SHBA-në dhe partnerët evropianë për të aplikuar. S’duam të shkojmë vetë. Nuk duam të dështojmë”, tha ajo.

A duhet Kosova të aplikoj në UNESCO dhe INTERPOL?

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” Qerim Qerimi në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se moratoriumi një vjeçar është dashur të shërbejë si kohë që Kosova të ndërtoj strategji për të aplikuar në organizata ndërkombëtare.

“Edhe në kohën sa një moratoriumi ka qenë në fuqi, hiq aplikimin formal, nuk ka pasur asnjë ndalesë për Kosovën që të ndërtojë strategji, konceptoje plane veprimi, eksplorojë mundësitë dhe përgatisë aplikimet për organizata të caktuara ndërkombëtare, kurdo që rrethanat politike dhe detyrimet e saj ndërkombëtare të lejonin këtë”, tha ai.

Për profesorin universitar, Kosova mund dhe duhet të shoh përtej vetëm organizatave si INTERPOL-i dhe UNESCO-ja, aplikimet në të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme disa herë.

“Strategjikisht, do të ishte më praktike dhe e dobishme sikur të zgjidheshin opsionet e cilave do organizata ndërkombëtare ku probabiliteti i anëtarësisë është më i lartë ose ku kërkesat procedurale janë me pak rigoroze ose politikisht komplekse”, tha ai.

Qerimi ka thënë se nuk ka ndonjë ‘formulë’ për suksesin e garantuar për t’u pranuar në këto organizata, por siç thekson ai për KALLXO.com, është e nevojshme një ndërmarrjeje masive diplomatike si dhe mbështetje nga aleatët.

“Në këtë drejtim, duhet vërejtur tërheqjen e SHBA-ve dhe të Izraelit nga UNESCO-ja. Duhet rikujtuar në rastin e aplikimit në UNESCO, ka pasur edhe nga ato shtete që e kanë njohur Republikën e Kosovës, e të cilat nuk kanë marrë pjesë në votim ose kanë abstenuar”, tha ai.

Sipas tij, efekt në procesin e anëtarësimit të Kosovës, mund të ketë edhe procesi i dialogut me Serbinë.

“Me pas, dinamikat e brendshme dhe ato rajonale siç është në radhë të parë dialogu me Serbinë mund të mos jenë pa efekt në mobilizimin ose jo apo shkallën e mobilizimit të aleateve dhe partnerëve ndërkombëtar për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, theksoi ai.

Shtatë ‘betejat’ e Kosovës për INTERPOL dhe UNESCO

Për gati një dekadë, Kosova ka bërë përpjekje për të qenë pjesë e organizatës më të madhe ndërkombëtare për bashkëpunim policor.

Tentativa e parë për të qenë pjesë e kësaj organizate kishte qenë në vitin 2010, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën.

Edhe në vitin 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar për t’u anëtarësuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.

Ndërsa një vit më vonë, 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate.

Edhe në vitin 2019, Kosova ka tërhequr kërkesën për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL), ani pse ajo ishte pranuar nga Komitetit Ekzekutiv i Interpolit.

Më 9 nëntor të vitit 2015, për tri vota, Kosova nuk kishte arritur të bëhej pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë UNESCO.

Për pranimin e Kosovës në UNESCO nevojiteshin 95 vota “për”, që nënkuptonin dy të tretat e votave të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në Konferencë e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila u mbajt në Paris, përderisa në favor të pranimit të Kosovës patën votuar 92 vende.