Albin Kurti - Kryetar i LVV

Albin Kurti ngushëllon për të vdekurit në aksident

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjet e tre personave të vdekur në aksidentin e sontëm në rrugën Prishtinë- Gjilan në afërsi të Mramorit ndërsa i ka uruar shërim të shpejtë ambasadores turke në Kosovë, Kivilçim Kiliç, e cila u lëndua në këtë aksident dhe të lënduarit tjetër, Osman Shala.

Kurti, në një postim në Facebook, ka fajësuar “politikat e dështuara të trafikut rrugor” dhe “kulturën e papërgjegjësisë e cila, sipas tij, merr modelin e keq nga njerëzit e pushtetshëm.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Politikat e dështuara në administrimin e trafikut rrugor dhe kultura e papërgjegjësisë e cila merr modelin e keq nga disa njerëz të pushtetshëm, ka sjellë situatën ku shumë jetë po merren prej aksidenteve rrugore. Secili lajm i keq që kemi marrë na ka pikëlluar e dëshpëruar, dhe fatkeqësisht nuk kanë qenë pak.

Por nga pozita zyrtare si kryetar i Lëvizjes, si dhe deputet i Republikës, si dhe nga ndjeshmëria njerëzore, sot uroj që ambasadorja e vendit mik, Turqisë, ta marrë veten sa më shpejt nga dëmtimet që morëm vesh se ia ka shkaktuar një aksident. Në të njëjtën kohë, shpreh ngushëllimet tona për familjarët e të dashurit e tre të vdekurve në të njëjtin aksident.

Më vonë morëm vesh nga media për emrat e atyre që humbën jetën, të cilët janë Agron Shala, 22 vjeç, Arife Shala, 88 vjeç dhe Elfete Rashiti, 65 vjeç. Në gjendje kritike është edhe Osman Shala, 65 vjeç, i lënduari tjetër nga ky aksident.

Urojmë dhe shpresojmë që Osman Shala të kalojë këto momente kritike, e edhe një herë shprehim ngushëllimin tonë për familjen Shala, e cila sonte i humbi tre anëtarë në këtë aksident tragjik.