Aktivistët Shqiptarë Ankohen në Policët Kosovarë për Dhunë

Një grup prej 40 shqiptarësh, mbështetës të opozitës së Kosovës të cilët janë kthyer mbrapsht nga policet kufitarë gjatë kohës kur ishin duke shkuar në protestë në Prishtinë javën e kaluar, kanë pohuar se janë rrahur fizikisht.

Shtetasit shqiptarë, të cilët u përpoqën t’i bashkoheshin protestës së opozitës të 9 janarit në Prishtinë, i kanë shkruar një letër proteste ambasadës së Kosovës në Tiranë dhe kanë bërë një ankesë zyrtare në policinë shqiptare me pretendimin se janë rrahur dhe janë kthyer mbrapshtë në pikën kufitare në Vërmicë.

Ata njoftuan se do t’i shkruajnë brenda kësaj jave edhe Ministrisë së Jashtme shqiptare, si dhe Avokatit të Popullit të të dy vendeve.

Një prej tyre, Evi Veliu, një mbështetëse e Vetëvendosjes, tha për BIRN-in se policia i ndaloi dhe e ktheu autobusin e tyre për në Shqipëri pa i pyetur fare për qëllimin e udhëtimit të tyre në Kosovë dhe pa bërë kontrollet rutinore kufitare.

“Pasi autobusi ynë u kthye pa asnjë shpjegim, ne u përpoqëm që këmbë ta kalojmë pikën kufitare, por as kështu nuk u lejuam”, tha Veliu.

Veliu tregoi se para se të arrinin në pikën kufitare, Policia e Kosovës formoi një kordon për t’i penguar.

“Ata na shtynë, na grushtuan e madje na larguan për të na mbajtur larg nga territori i Kosovës”, tha ajo.

Në një njoftim për shtyp më 10 janar, Policia e Kosovës tha se duke u mbështetur në procedurat ligjore kufitare kanë ndaluar 42 aktivistë nga Shqipëria që të kalonin kufirin dhe mohoi të ketë ushtruar dhunë kundër tyre.

Veliu tha se as Kushtetuta e Shqipërisë as ligjet e Kosovës nuk ua ndalojnë njerëzve të drejtën që t’u bashkohen protestave paqësore.

“Ne nuk duam të përballemi me këtë lloj të situatës përsëri, ne nuk e meritojmë këtë. Për këtë arsye, ne do të përdorim çdo mjet ligjor për ta parandaluar”, tha ajo.

Vetëvendosja është një nga tri partitë opozitare të Kosovës, të cilat kanë protestuar muajve të fundit kundër marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja me Serbinë dhe Malin e Zi.

Shumë shtetas shqiptarë kanë mbështetur Vetëvendosjen gjatë protestave dhe disa janë mbledhur në në Tiranë pasi një nga udhëheqësit e saj u arrestua në Prishtinë vitin e kaluar.

http://kallxo.com/policia-arreston-disa-protestues/

Protesta e 9 janarit, e paralajmëruar si një tubim paqësor, përfundoi në kaos, kur disa aktivistë të rinj hodhën gurë dhe bomba me karburant, duke i vënë flakën një pjese të ndërtesës së Qeverisë, dhe u përleshën me policinë në rrugë.

KALLXO.com ka përcjellë “Live” protestën e thirrur nga partitë opozitare Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën.

Disa mijëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes për protestë, e cila përfundoi në mënyrë paqësore, por që më vonë u vijua me dhunë, me ç’rast një grup të rinjsh u konfrontua me policinë rrugëve të kryeqytetit.

http://kallxo.com/opozita-ne-proteste-kunder-qeverise/