Pamje nga tryeza shkencore për Ditën Botërore Kundër Kancerit - Foto: KALLXO.com

14 Milionë Raste në Vit me Sëmundje të Kancerit

Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit (BNKK) ka mbajtur një tryezë shkencore për të shënuar Ditën Botërore kundër Kancerit, ku u diskutua rreth rasteve të reja të kancerit, vdekjet, faktorët që shkaktojnë kancerin dhe llojet më të shpeshta të kësaj sëmundjeje.

Kryesuesja e BNKK, Suzana Manxhuka-Kërliu, theksoi se sipas Institutit për Hulumtime të Kancerit në Gjenevë në nivel global në vit janë 14 milionë raste të reja të kancerit, ndërsa në vitin 2030 parashihet që ky numër të shkojë në 21,7 milionë.

Sipas të njëjtit Institut, aktualisht nga kanceri në vit vdesin 8,2 milionë, ndërsa në vitin 2030 parashihet që numri të shkojë në 13 milionë.

Ndërsa, llojet më të shpeshta të kancerit sipas Institutit me seli në Zvicër janë kanceri i mushkërive, i gjirit, i prostatës dhe i lukthit.

Në Kosovë, ndërkaq, më 2016 janë regjistruar 1,238 raste me kancer, për dallim nga 808 raste më 2015.

Këto të dhëna janë paraqitur nga drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ekrem Hyseni, në një ngjarje të organizuar të premten me rastin e Ditës Botërore Kundër Kancerit.

Sipas tij, këto dallime në numra nuk janë për shkak të shtimit të rasteve, por për shkak të shtimit të rasteve të raportuara.

Ndërsa, në konferencën e sotme, Imet Rrahmani tha se Ministria e Shëndetësisë të cilën ai e drejton është duke punuar maksimalisht në sferën kundër kancerit, “sepse sfidat e shëndetësisë në raport me sëmundjet vetëm po shtohen edhe më shumë”.

“Problematika e sëmundjeve malinje po i sfidon sistemet shëndetësore në mbarë botën, pra edhe në vendet me një ekonomi shumë më të zhvilluar, me sisteme shëndetësore më të avancuara edhe me një përvojë profesionale të konsoliduar”, tha ministri.

Ai po ashtu tha se Kosova dhe sistemi shëndetësor i saj po ballafaqohet me këtë problematikë dhe se ne si vend kemi potencial njerëzor dhe profesional që së bashku me shoqërinë civile të ngremë shkallën e reagimit në nivelet më të larta të mundshme.

Ndërsa, Suzana Manxhuka-Kërliu përmendi faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të kancerit.

“Faktorët e mundshëm të rritjes së kancerit lidhen me kushtet e jetesës, nga dieta e papërshtatshme, mjedisi i ndotur, vendet me industri të zhvilluar pa kritere mbrojtëse, përdorimi masiv i lëndëve toksike në bujqësi, nga veset siç janë duhanpirja, droga, alkooli, etj.”, tha kryesuesja e BNKK-së.

Të premten, në shënimin e Ditës Botërore Kundër Kancerit, u tha se mosha e re e popullsisë kosovare ka ndikuar që Kosova të ketë rreth 3 herë më të vogël  numrin e të prekurve nga kanceri krahasuar me vendet e tjera të  regjionit.

http://kallxo.com/kosova-trefish-pak-raste-te-kancerit-se-rajoni/

Redaktoi: Naser Sertolli