1001 Lule për Ditën Ndërkombëtare të Romëve

Komuniteti rom vazhdon të jetë i diskriminuar dhe i refuzuar nga shoqëria kosovare. Kështu është thënë sot në një takim të zhvilluar në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në prag të 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Paçaku, i cili vjen nga ky komunitet, ka ndërprerë mbledhjen e organizuar për nder të kësaj dite për t’u shpërndarë lule siç tha ai gjinisë së bukur.

“Këto lule tregojnë dashuri por edhe protestë“, ka thënë ai, duke paralajmëruar se do të shpërndajë 1001 lule.

“Dëshirojmë të tregojmë dashurinë ndaj Kosovës me njëmijë e një lule. Dëshirojmë që vitin e ardhshëm të punësohemi së paku njëqind e një vetë e jo një mijë e një. Gjinisë më të bukur i kemi dhuruar lule. Ne nuk dimë të protestojmë me gaz prandaj po protestojmë me lule”, sqaroi ai.

“Edhe sot ne shënuam 8 Prillin para Kuvendit, para Qeverisë, tubuam njëmijë e një lule, dëshiruam që të dërgojmë një mesazh kulturor përmes luleve duke u dhuruar lule qeveritarëve, qytetarëve, ligjvënësve, policëve, të rinjve, të rejave, për të treguar se ne në mënyrë kulturore po protestojmë sepse kërkojmë ri-integrim në shoqëri”, tha Paçaku.

Duke ju referuar gjendjes së fëmijëve të këtij komuniteti, deputeti kërkoi që të reagohet dhe të ndryshohet kjo situatë.

“Tërhiquni dhe futuni nën lëkurën tonë sepse fëmijët e romëve po vdesin nëpër kontejnerë. A ka dikush që thotë jo? Fëmijët tonë po vdesin nga të ftohtit, romët po vdesin nga uria. Sulmi është tek unë, tek shoqëri civile, sulmi është tek ju të nderuar ministër. Ne duhet të bëjmë ndryshime për këtë komunitet”, u shpreh ai.

[interaction id=”57067de61de225124961b69f”]

Kujtim Paçaku gjithashtu kërkoi që të vazhdohet paraqitja e Kosovës si një shtet që i nderon pakicat.

“Kosova është shtet i ri. Hajdeni të gjithë të mundohemi të tregojmë shembull për tërë regjionin se Kosova ka dëshirën politike, që Kosova ka vullnet që niveli i demokracisë i një shteti të shihet edhe një herë me nderimin e pakicës”, tha ai.

Ndërsa, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se po i pëlqen kjo mënyrë e reagimit ndaj problemeve të këtij komuniteti.

“Zotëri Paçaku po më pëlqen mënyra juaj që të na e përkujtoni të gjithë neve në mënyrë shumë ilustrative problemet me të cilat ballafaqoheni çdo ditë dhe ne të gjithë do të duhej të bënim më shumë“, u shpreh ai.

Sipas tij shumë komunitete janë duke jetuar nën nivelin të cilin e kërkon Bashkimi Evropian dhe janë objekt i diskriminimit prandaj duhet të mendojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë.

“Nëse shkojmë drejt të ardhmes së Kosovës komuniteti rom është në një pozitë sociale të palakmueshme për momentin. Ata gjithashtu po diskriminohen dhe po refuzohen nga shoqëria bazuar në bazë të përkatësisë etnike. Gjithashtu, sa i përket gjinisë femërore, gratë dhe vajzat rome janë duke u diskriminuar dy herë më shumë”, theksoi Zhbogar.

Dita Ndërkombëtare e Romëve shënohet më 8 prill për nder të takimit të parë të madh ndërkombëtar të përfaqësuesve romë, i cili u mbajt më 7-12 prill 1971 në Chelsfield, afër Londrës.