Studimi: Rreziku i mpiksjes së gjakut rritet deri në gjashtë muaj pas infektimit me virusin COVID-19

Sipas një studimi të fundit normat e rasteve të koronavirusit kanë aritur nivelin më të lartë në Angli që nga fillimi i pandemisë, me studiuesit që pretendojnë se dy variantet e Omicron, BA.1 dhe BA.2, e kanë shkaktuar kulmin e dyfishtë – një në janar dhe një tjetër në mars.

Njerëzit janë në një rrezik të shtuar të zhvillimit të mpiksjes serioze të gjakut deri në gjashtë muaj pas infektimit me COVID-19, ka zbuluar një studim i ri.

Sipas studiuesve, rreziku i trombozës së venave të thella (DVT) është “rritur ndjeshëm” për tre muaj pas infektimit me koronavirus.

Për gjashtë muaj pas infektimit, ekziston një shans më i madh për të zhvilluar një enë gjaku të bllokuar në mushkëri, të quajtur emboli pulmonare, dhe për dy muaj njerëzit janë në rrezik më të madh të gjakderdhjes.

Gjetjet, të publikuara në British Medical Journal, tregojnë se njerëzit me probleme shëndetësore themelore janë më të rrezikuarit, së bashku me ata me simptoma më të rënda të COVID.

Ata zbuluan gjithashtu se rreziku i mpiksjes së gjakut ka shënuar ulje në valën e dytë dhe të tretë të pandemisë.

Studiuesit thanë se kjo mund ta pasqyrojë rolin e vaksinave dhe trajtimeve, veçanërisht për njerëzit e moshuar, në reduktimin e mundësive të tyre për të vuajtur komplikime.

Si pjesë e studimit, ekspertët nga Universiteti Umea në Suedi i shikuan të dhënat për më shumë se një milion njerëz në vend që rezultuan pozitivë midis shkurtit 2020 dhe majit 2021.

Kjo më pas u krahasua me të dhënat për më shumë se katër milionë njerëz pa COVID.

Ekipi e analizoi rrezikun e mpiksjes në periudhën pasi një person zhvilloi simptoma, krahasuar me shumë kohë përpara se të testohej pozitiv dhe shumë kohë pasi shenjat e virusit ishin zhdukur.

Si rezultat, ata gjetën një rritje pesëfish të rrezikut të trombozës së venave të thella, një rritje 33-fish të rrezikut të embolisë pulmonare dhe një rritje pothuajse dyfish të rrezikut të gjakderdhjes në 30 ditët pas infektimit.

Kjo do të thotë se një DVT e parë ndodhi tek 401 pacientë me COVID-19 dhe tek 267 pacientë pa COVID  gjatë kësaj periudhe kohore.

Ndërkohë, embolia e parë pulmonare ka ndodhur në 1761 pacientë me virus dhe 171 pa virus.

Gjithsej 1,002 pacientë me koronavirus përjetuan gjakderdhjen e tyre të parë, krahasuar me 1,292 që nuk ishin infektuar.

Rreziqet vazhduan për shumicën e pacientëve deri në një periudhë prej gjashtë muajsh.

“Gjetjet tona mbështesin pa dyshim tromboprofilaksinë (trajtim parandalues) për t’i shmangur ngjarjet trombotike, veçanërisht për pacientët me rrezik të lartë, dhe për ta forcuar rëndësinë e vaksinimit kundër COVID-19,” ishte konkludimi i ekipit të lartcekur./Sky News

Përgatiti: Nuhi Shala