Pandemia ‘thyen kufijtë’ Kosovë – Shqipëri, nga fillimi i COVID-19 rreth 100 qytetarë nga Shqipëria janë trajtuar në Kosovë

Kufijtë e dy shteteve shqip-folëse, Kosovës dhe Shqipërisë, janë ‘thyer’ më ndjeshëm në këtë kohë pandemie.

Në vjeshtën e vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë dhe ajo në Shqipëri, kishin nënshkruar protokollin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Marrëveshja kishte të theksuar bashkëpunimin për menaxhim të situatës epidemiologjike COVID-19 si dhe ndihmës reciproke.

Pas kësaj marrëveshjeje qytetarët nga Shqipëria morën rrugën për trajtim nëpër klinikat e Kosovës.

Aktualisht në Spitalin Regjional të Gjakovës, janë duke u trajtuar 11 pacientë nga Shqipëria me coronavirus.

Nga Ministria e Shëndetësisë nënvizojnë se rreth 100 pacientë nga Shqipëria kanë marrë trajtim mjekësor që nga vjeshta 2020 që kur edhe u bë marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Rastet e reja me COVID-19 në Kosovë dhe Shqipëri

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se brenda 24 orëve në Kosovë nga 2,570 mostrat e marrura në terren nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar dhe gjurmimet e kontakteve 445 raste kanë rezultuar pozitiv me SARS-CoV-2.

Pesë persona kanë vdekur si pasojë e infeksionit në 24 orët e fundit, në mesin e tyre është edhe një 65 vjeçar nga Komuna e Kamenicës.

Raste pozitive me coronavirus pati edhe në Shqipëri.

Nga Ministria e Shëndetësisë në Shqipërisë bëhet e ditur se 3,869 testimeve të bëra në 24 orët e fundit 916 persona kanë rezultuar pozitiv, përderisa 20 persona kanë vdekur nga COVID-19.

Ndryshe nga Kosova e cila ende është në pritje të furnizimit me vaksinën kundër coronavirusit shteti i Shqipërisë tashmë ka siguruar ato.

1001 qytetarë nga Shqipëria janë vaksinuar në 24 orët e fundit me vaksinën antiCOVID-19.

Nga 11 janari, ditën e fillimit të vaksinimit të shqiptarëve në Shqipëri e deri më sot 11,136 persona janë vaksinuar me vaksinën antiCOVID-19.

Numri total i rasteve pozitive në Shqipëri është 105,229, ndërsa 1,756 persona kanë vdekur në total si pasojë e infeksionit.

Aktualisht mbi 35 mijë raste me SARS-CoV-2 janë ende aktive në Shqipëri, përderisa në Kosovë janë rreth 7 mijë raste aktive me COVID-19.

Ndërsa numri total i të infektuarve në Kosovë është 68,351, si dhe 1,592 kanë vdekur nga COVID-19.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.