Foto: KALLXO,com

Ferizaj, vdes një person nga COVID-19

Në Ferizaj është shënuar edhe një vdekje si pasojë e infeksionit me COVID-19.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Jeton Zeqiri.

Ai tha se tashmë i ndjeri kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

“Po ka vdekur mbrëmë, ka qenë mbi 65 vjeçar. Po ka pasë sëmundje shoqëruese”, konfirmoi Zeqiri.

Deri më tani në Kosovë kanë vdekur 1.106 persona nga coronavirusi, përderisa janë infektuar 42.805.

Kujtojmë se dje në nivel vendi kanë vdekur 19 persona brenda 24 orëve, dy prej tyre nga komuna e Ferizajt.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.