Ilustrim

Federata Botërore e Obezitetit: Deri në vitin 2035 gjysma e botës pritet të jenë mbipeshë

Më shumë se gjysma e popullsisë në botë do konsiderohen si obezë apo me mbipeshë deri në vitin 2035 nëse nuk merret ndonjë veprim, paralajmëron Federata Botërore e Obezitetit.

Raporti në veçanti thekson normat në rritje të obezitetit midis fëmijëve dhe adoleshentëve, me norma që pritet të dyfishohen nga nivelet e vitit 2020 si tek djemtë ashtu edhe tek vajzat. Derisa, vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme në Afrikë dhe Azi pritet të shohin rritjet më të mëdha, raporton BBC.

Raporti parashikon se kostoja e obezitetit do të arrijë në më shumë se 4 trilion dollarë në vit deri në vitin 2035.

Arsyet përfshijnë tendencat në preferencat dietike siç janë ushqimet e përpunuara, nivele më të larta të sjelljes sedentare (joaktivitet fizik/qëndrimi ulur), politika më të dobëta për të kontrolluar furnizimin dhe marketingun e ushqimit, dhe shërbime shëndetësore me më pak burime për të ndihmuar në menaxhimin e peshës dhe edukimin shëndetësor.

Kryetarja e federatës, Profesoresha Louise Baur, i përshkroi gjetjet e raportit si  paralajmërim i qartë për vendet që të veprojnë tani ose të rrezikojnë pasoja në të ardhmen.

Baur tha se tendenca është “veçanërisht shqetësuese”, duke shtuar se qeveritë dhe politikë bërësit në mbarë botën duhet të bëjnë gjithçka që munden për të shmangur kalimin e kostove shëndetësore, sociale dhe ekonomike tek brezi i ri duke vlerësuar sistemet dhe faktorët rrënjësor që kontribuojnë në obezitet.

Efektet e prevalencës së obezitetit në vendet me të ardhura më të ulëta theksohen gjithashtu në raport.

Nëntë nga 10 vendet me rritjen më të madhe të pritshme të obezitetit globalisht janë shtete me të ardhura të ulëta ose të mesme në Afrikë dhe Azi.

Vendet me të ardhura më të ulëta janë shpesh më pak të afta për t’iu përgjigjur obezitetit dhe pasojave të tij-potencon ky raport.

Gjetjet po ashtu vlerësojnë se rritja e normave të obezitetit në mbarë botën do të ketë ndikim të rëndësishëm në ekonominë globale, duke barazuar me 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global.

Të dhënat e publikuara në raport do të paraqiten në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të hënën.

Termi ‘i/e shëndoshë’ është  term mjekësor që përdoret për të përshkruar një person me  tepricë të lartë të yndyrës në trup.