Selmanaj akuzon deputetët e PDK-së se po pengojnë komisionin hetimor për gylenistët

Pas përfundimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turk në mars të vitit të kaluar, PDK dhe LDK filluan akuzat ndaj njëra tjetrës.

Ishte vetë nënkryetari i komisionit, Driton Selmanaj i cili tha se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës po mundohen të pengojnë procesin e intervistimit të komisionit.

“Ne kemi pasur përpjekje sidomos nga deputetët e PDK-së për ta penguar punën e komisionit. Nuk do të hyjmë në lojën e presidentit. Nuk do të bëhemi pjesë e skenarëve të presidentit”, tha Selmanaj.

 

I pyetur nga KALLXO.com në lidhje me “dorëzimin” e intervistimit të Presidentit Thaçi, ai u përgjigj se  “Nuk po dorëzohemi ta intervistojmë presidentin, ne e kemi ftuar dhe ka ardhur dhe e keni pa. Mos dëshmia e tij është dëshmi, ai nuk dëshiron të flasë, por e dimë se ai qëndron pas këtij rasti. Driton Gashi ka vazhduar lojën e presidentit”.

Në anën tjetër, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu u përgjigj në akuzat e Selamanajt për çështjen e bllokimit të komisionit.

“Ai që është duke e penguar dhe duke e politizuar është Driton Selmani, mbledhjen e përfundoi pikërisht Dritoni. Në momentin kur Driton Selmani nuk e lejon kryetarin e komisionit me e qitë në votim propozimin e Hajdar Beqës, që kërkesat e Presidentit të dërgohet në zyrën ligjore pikat që ka kërkuar presidenti”, tha Musliu.

Ajo madje ka arsyetuar mungesat e presidentit të ftuar nga komisioni parlamentar.

“Këta e panë që nuk munden me i rezistu këtij vendimi dhe e lëshuan mbledhjen.  Presidentin e kanë ftuar gjithmonë kur ka qenë me agjendë për vizita jashtë vendit. Këto parti nuk mund të mbijetojnë skenës politikë. Nuk është mbyllur takimi i rregullt, e ka mbyllur Driton Selmani. Unë e thash, komisioni është lojë dhe tendencë politike”, shtoi ajo.

Musliu tha edhe se afati për dërgim të raportit në kuvend është deri të premten.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme për ri-intervistimin e dy prej shumë të intervistuarve në lidhje me rastin e depërtimit të gylenistëve në mars të vitit të kaluar.

Drejtori i tanishëm i AKI-së Shpend Maxhuni dhe ish- drejtori i AKI-së, Driton Gashi u ri-intervistuan sot pasi që ndaj të njëjtëve kishte dyshime se nuk kanë deklarata të cilat mund të përputheshin me detyrat të cilat i kanë kryer Policia e Kosovës ku në atë kohë ishte drejtor i saj Shpend Maxhuni dhe AKI ku drejtor kishte Driton Gashin.

Ish-shefi i Agjencionit Kosovar për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, ka refuzuar që t’i përgjigjet sot pyetjeve të Komisionit parlamentar për hetimin e deportimit të 6 shtetasve turq të dyshuar si pjesëtarë të lëvizjes opozitare gyleniste, në mars të vitit të kaluar.

Në seancën e intervistimit, Driton Gashi, sipas nënkryetarit të këtij komisioni, Driton Selmanaj, ka kërkuar qartësim ligjor të angazhimit të një eksperti të huaj, njëjtë siç e ka bërë edhe Presidenti Hashim Thaçi dhjetë ditë më parë.

Gashi ka qenë shef i AKI-së në kohën e deportimit kontrovers të gjashtë shtetasve turq. Pas kësaj afere, ai qe shkarkuar nga pozita e shefit të AKi-së ndërsa më pas është punësuar në Zyrën e Presidentit.

https://kallxo.com/ish-shefi-i-aki-se-vazhdon-lojen-e-presidentit-me-komisionin-e-gylenisteve/

Ish- Drejtori i Policisë së Kosovës, tani Drejtor i AKI-së, Shpend Maxhuni, ka kërkuar që dëshmia e tij në Komisionin Hetimor për deportimin e gjashtë gyleniatëve në mars të vitit të kaluar, të bëhet pa prezencën e mediave.

https://kallxo.com/shpend-maxhuni-kerkon-qe-deshmia-e-tij-per-gylenistet-te-behet-pa-media/