Protesta kundër ‘Drejtësisë Selektive’ pas vrasjes së dyfishtë në Gjakovë FOTO)

Edhe në Prishtinë po mbahet një protestë me moton “Boll Ma” kundër dhunës institucionale dhe shoqërore ndaj grave dhe vajzave. Kjo protestë është organizuar pas vrasjes së Valbona Ndrecajt dhe vajzës së saj 9 vjeçare nga burri i saj.

Protestuesit janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe pastaj kanë marshuar deri para Stacionit të Policisë së Kosovës.

Luljeta Aliu, një nga organizatorët e protestës ka kërkuar nga Policia e Kosovës që t’i marrin seriozisht të gjitha lajmërimet e rasteve të ngjashme dhe mos të ketë dallime, por t’iu ofrohet ndihmë të gjitha viktimave.

Prokurori Ali Uka pretendon se Pjetër Ndrecaj e kishte kryer vrasjen e gruas dhe vajzës së saj me dashje.

“Në ditën kritike i pandehuri shkon tek shtëpia e vëllezërve të së ndjerës Valbona për ta bindur për të bashkëjetuar dhe duke qenë se e ndjera Valbona nuk ka dashur të shkon në shtëpinë e bashkëshortit të saj i pandehuri me armën AK-47 shtënë disa herë në drejtim të gruas dhe vajzës duke i privuar nga jeta”, thuhet në kërkesën e prokurorit për paraburgim. “I pandehuri me dashje ka privuar nga jeta anëtarët e familjes së tij bashkëshorten dhe vajzën 9 vjeçare”.