Spektakli Plot Skandale i Gjyqit të Sheshelit

Çështja e liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel ka qenë unike në historinë prej dy dekadash të Gjykatës Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ICTY, – jo vetëm për shkak të shumë ndërprerjeve që zgjatën gjyqin maratonë për më shumë se një dekadë, por edhe për shkak të situatës së pazakontë në të cilën do të jepet vendimi.

Ky do të jetë vendimi i parë që do të jepet nga Gjykata e mbështetur nga OKB-ja me bazë në Hagë pa të pandehurin të pranishëm në sallën e gjyqit për ta dëgjuar atë. Në vend të kësaj, Shesheli do të jetë në Beograd, duke bërë fushatë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe ka hedhur poshtë një ofertë nga ICTY-ja për ta ndjekur dhënien e vendimit nëpërmjet një lidhje me video.

Çështja e Sheshelit është gjithashtu e para në të cilën ICTY-ja e ka liruar përkohësisht të pandehurin nga paraburgimi në baza humanitare dhe më pas ka revokuar vendimin e saj, i ka kërkuar atij të kthehet në paraburgim dhe më pas e ka injoruar kërkesën e saj.

Pasi u lirua nga paraburgimi për t’iu nënshtruar kurimit nga kanceri në Serbi në vitin 2014, Shesheli mbajti një sërë fjalimesh duke përdorur gjuhë urrejtje dhe retorikë që të kujton konfliktet e viteve 1990, të cilat mërzitën viktimat e luftës. Si rezultat i kësaj, ICTY-ja bëri thirrje Serbisë ta kthejë atë përsëri në paraburgim, por Beogradi nuk e bëri këtë, pavarësisht ligjit të tij për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës.

Më herët këtë muaj, ICTY-ja u tërhoq pas dhe tha se Shesheli nuk kishte pse të kthehej në Hagë për të dëgjuar vendimin e tij më 31 mars.

Gjykata sqaroi se kishte pranuar një argument nga qeveria serbe se nuk ishte e mundur të ndërpritej trajtimi i Sheshelit dhe nuk ishte e mundur që ai të vazhdohej në Hagë, kështu që vendimi do të jepet në mungesë të tij.

Rasti i Sheshelit pa gjithashtu përpjekjen e suksesshme nga një i pandehur për krime lufte për të sfiduar panelin gjykues mbi një pretendim për njëanshmëri në gjykimin e tij.

Në vitin 2013, një nga gjykatësit në gjyqin e tij, Frederik Harhoff, u skualifikua pas Shesheli paraqiti një mocion ku pretendonte se ai nuk ishte i paanshëm për shkak se kishte treguar “prirje të forta për të dënuar persona të akuzuar me etni serbe”.

Akuzat janë shkaktuar nga një letër e shkruar nga Harhoff, në të cilën gjykatësi kritikoi lirimet nga akuzat të komandantëve të lartë serbë dhe kroatë të kohës së luftës.

Ky veprim ka rezultuar në prolongimin e gjykimit, i cili përfundoi në mars 2012 dhe nënkuptonte se vendimi i shkallës së parë do të jepej vetëm katër vjet më vonë.

‘Mjeshtri i skandaleve’

Që kur Shesheli u dorëzua vullnetarisht në ICTY në vitin 2003, periudha që ai kaloi në paraburgim është shoqëruar gjithashtu me një sërë vonesash për shkak të grevave të tij të urisë, probleme të ndryshme procedurale dhe në fund nga sëmundja e tij. Gjyqi i tij filloi vetëm në vitin 2007, katër vjet pas dorëzimit të tij, kur këshilltarët e tij ligjorë e deklaruan veten të pafajshëm në emër të tij për nëntë akuzat e listuara në aktakuzë.

Edhe pse i gjithë procesi vazhdoi për një total prej 13 vjetësh, pati vetëm 175 ditë gjyq. Nëpërmjet dëshmisë së 89 dëshmitarëve dhe 1,367 ekspozitave, prokuroria u përpoq të vërtetojë se Shesheli kreu krime kundër njerëzimit dhe shkeli ligjet e luftës gjatë konfliktit në Jugosllavi.

Kur akuzat u lexuan për herë të parë në vitin 2007, prokurorja e ICTY-së Christine Dahl e përshkroi Sheshelin si një “mjeshtër skandalesh dhe politikan të aftë”, përgjegjës për disa nga krimet më brutale në Vukovar në Kroaci dhe Zvornik në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Sipas Dahl, Shesheli bashkëpunoi ngushtë me qeverinë në Beograd dhe punoi për qëllimet e tij për të krijuar një “Serbi të madhe” etnikisht të pastër.

Ajo u shpreh se Shesheli ndante të njëjtat qëllime si presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç.

“Millosheviçi nuk guxoi të bënte thirrje për çlirimin e të gjithë tokës serbe, por në vend të kësaj, Shesheli përdori gjuhë urrejtjeje dhe akte të tjera të gabuara,” tha prokurorja.

Gjatë gjyqit, prokuroria u përpoq të vërtetojë se Shesheli mobilizoi jo vetëm krahun e armatosur të Partisë së tij Radikale Serbe, por edhe forca të tjera serbe, duke i nxitur ata të persekutonin kroatët dhe boshnjakët.

Grupi i tij paraushtarak “Sheshelvci” (Burrat e Shesheli), i përbërë nga vullnetarë serbë, dyshohet se dëboi dhjetëra mijëra jo-serbë dhe vrau me mijëra.

Një nga dëshmitarët kryesorë të prokurorisë, Goran Stopariç, një ish-vullnetar i “Sheshelvci” që luftoi në Vukovar, konfirmoi se Shesheli shpesh vizitonte fushën e betejës për të inkurajuar luftëtarët.

“Të gjithë po thoshin se Shesheli është komandanti ynë kryesor, edhe pse ishte Ushtria Popullore Jugosllave ajo që po merrte vendime ushtarake, ndërsa Shesheli organizonte vullnetarët,” tha Stopariç në gjyq në vitin 2008.

Eksperti ushtarak Reynaud Theunens dëshmoi se prokuroria shpresonte të vërtetonte lidhjet midis njerëzve të Sheshelit dhe autoriteteve të Beogradit.

Sipas Theunens, vullentarët e Sheshelit i morën armët e tyre nga tre burime: Ushtria Popullore Jugosllave, Ministria e Brendshme e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

‘Asnjë vend s’është i sigurt’

Gjyqi dëgjoi gjithashtu dëshmitë e shumë viktimave kroate të luftës, të cilët dëshmuan mbi rolin që Shesheli dhe njësia e tij patën në dëbimin e jo-serbëve.

Katica Pauliç nga fshati serb i Hrtkovci tha gjyq në vitin 2008 se ajo dhe bashkëshorti i saj, të dy kroatë etnikë, arritën në përfundimin pasi Shesheli mbajti atje një fjalim ku tha se ata duhet “t’ia mbathnin nga fshati” sepse “nuk ka asnjë vend të sigurt” për të shmangur persekutimin.

Sipas prokurorisë, Shesheli ati gjithashtu një rol domethënës në konfliktin në Bosnje dhe Hercegovinë, kryesisht në Zvornik dhe Sarajevë.

Dëshmitari Perica Koblar i tha gjykatës së Hagës se “Shesheli ishte alfa dhe omega në Sarajevë”.

Koblar, i cili u burgos nga forcat serbe, thotë shefi i kampit të paraburgimit në të cilin ai u mbajt, i cili ai tha se ishte një vartës i Sheshelit, i tha atij se “asnjë Karaxhiç apo Mlladiç nuk mund t’ju shpëtojë, Shesheli është shefi kryesor”.

Një tjetër dëshmitar nga Sarajeva, Safet Sejdiç, tha se kishte parë Sheshelin në Sarajevë në shoqërinë e Mlladiçit dhe Karaxhiçit.

Sejdiç, i cili u burgos gjithashtu nga forcat serbe, i përshkroi veprimet e njerëzve të Sheshelit në Sarajevë si brutale.

“Ata silleshin si të ishin të çmendur. Vrisnin këdo që shikonin, si të ishin kasapër,” tha Sejdiç në gjykatë.

‘Asnjë keqardhje’

Në deklaratat e saj mbyllëse në vitin 2012, prokuroria kërkoi 28 vjet burg për Sheshelin.

“Është vërtetuar se ai është fajtor për krime serioze, si në qëllimin dhe natyrën e tyre rrëqethëse,” tha prokurori Mathias Marcussen.

“Shesheli nuk tregoi pendim,” shtoi ai.

Politikani nacionalist tha që në fillim se ai do të ngrinte një mbrojtje, sepse ai e refuzonte legjitimitetin e gjykatës, duke pretenduar se ajo është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe ishte produkt i një “komploti të keq të Perëndimit dhe Vatikanit”.

Edhe pse ICTY-ja u përpoq në disa raste t’i caktonte atij një avokat mbrojtës, Shesheli arriti t’i bindte gjyqtarët ta lejonin atë të mbronte veten. Megjithatë, ai kishte disa këshilltarë ligjor – përfshirë edhe presidentin dhe kryeministrin aktual të Serbisë, Tomislav Nikoliç dhe Aleksandër Vuçiç, të cilët ishin anëtarë të shquar të Partisë së Radikale deri sa ata u shkëputën nga ai në vitin 2008.

Por ai nuk thirri asnjë dëshmitar në mbrojtje të tij dhe paraqiti vetëm gjashtë ekspozita, edhe pse ai e shfrytëzoi rastin kur prokuroria po merrte në pyetje dëshmitarët e saj për të paraqitur çështjen e tij dhe të mohonte krimet që i atribuoheshin atij.

Duke komentuar akuzat për gjuhë urrejtjeje, Shesheli tha se ai thjesht po u jepte njerëzve “paralajmërim”, të cilat ishin “në thelb përpjekje për paqe, thjesht të thëna në mënyrë të ashpër”.

Ai tha gjithashtu se shumë krime që i atribuoheshin atij ishin kryer nga njësi të ndryshme të tjera serbe, jo nga anëtarët e partisë së tij apo vullnetarët.

Duke komentuar krimet e kryera në Zvornik, Shesheli tha se njerëzit e tij thjesht “po ndihmonin” në qytet dhe se “asnjë krim nuk ishte kryer nga “Sheshelvcit”.

Por ai shtoi: “Nuk mendoj dot për secilin prej tyre dhe nëse ata bënë apo jo ndonjë gjë.”

Ai tha se anëtarët e partisë së tij “gjithmonë e dënuan përndjekjen e myslimanëve dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore”, duke fajësuar për këto krime Ushtrinë Popullore Jugosllave dhe njësitë e tjera serbe.

Ai madje deklaroi gjithashtu fitore kohë para se të jepej vendimi i tij.

“Nuk më intereson se cili do të jetë vendimi,” tha ai gjatë një tubimi në Beograd më herët këtë vit. “Unë tashmë e kam mposhtur gjykatën e Hagës”.

Aktakuza ndaj Sheshelit

Aktakuza e Sheshelit e padit atë për përgjegjësi në dëbimin ose transferimin me forcë të dhjetëra mijëra kroatëve, myslimanëve dhe civilëve të tjerë jo-serbë nga zona të mëdha në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi.

Ajo gjithashtu e akuzon atë për përgjegjësinë për vrasjen e shumë kroatëve, myslimanëve dhe civilëve të tjerë jo-serbë, përfshirë gra dhe të moshuar, si dhe shkatërrimin e qëllimshëm të shtëpive dhe pronave të tjera publike dhe private, institucioneve kulturore, monumenteve historike dhe vendeve të shenjta kroate, myslimane dhe të popullsive të tjera civile jo-serbe në komunën e Vukovarit në Kroaci dhe në komunat e Zvornikut, ‘Serbisë së madhe”, Mostarit dhe Nevesinjes në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ai akuzohet më tej për torturim, rrahje, grabitje, sulme seksuale dhe krijim kushtesh çnjerëzore jetese ndaj kroatëve, myslimanëve dhe civilëve të tjerë jo-serbë nga ushtarët serbë gjatë arrestimit dhe në qendrat e paraburgimit dhe “denigrim të drejtpërdrejtë dhe publik përmes “gjuhës së urrejtjes” të kroatëve, myslimanëve dhe popullsive të tjera jo-serbe” në Vukovar, Zvornik dhe Hrtkovci në Serbi.

Shesheli akuzohet se ka marrë pjesë në rekrutimin, formimin, financimin, furnizimin, mbështetjen dhe drejtimin e vullnetarëve serbë të lidhur me Partinë Radikale Serbe dhe/ose Lëvizjen Çetnike Serbe.

Ai akuzohet gjithashtu se ka marrë pjesë në planifikimin dhe përgatitjen e marrjes së qyteteve dhe fshatrave në Kroaci dhe në një numër komunash në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe largimin e mëvonshëm me dhunë të shumicës së popullsisë jo-serbe nga ato zona.

Ai akuzohet se ka marrë pjesë në dhënien e mbështetjes financiare, materiale, logjistike dhe politike nga autoritetet serbe dhe nga serbët që jetonin jashtë shtetit për këto marrje komunash. Ai akuzohet se ka mbledhur fonde për të mbështetur qëllimet e kësaj sipërmarrjeje të dyshuar të përbashkët kriminale me ndihmën e Sllobodan Millosheviçit.