ORCA: Studentët e Universitetit të Prishtinës përballen me shpenzime të mëdha

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) sot ka publikuar hulumtimin për shpenzimet e studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili tregon se ata përballen me shuma të larta.

Autori i këtij hulumtimi, Dibran Hoxha nga ORCA ka treguar se për këtë hulumtim janë organizuar 13 fokus grupe, me studentë nga 13 njësi akademike të UP-së.

Ai tutje ka thënë se kanë marrë pjesë gjithsej 176 studentë, prej të cilëve, 111 janë bajza dhe 65 djem.

“Këta studentë janë zgjedhur edhe sipas viteve të studimit që t’i kemi të përfshira të gjitha kategoritë. 52 studentë kanë qenë të vitit të parë, 56 të vitit të dytë, 50 të vitit të tretë, 12 nga viti i katërt, 4 nga viti i pestë dhe 2 nga vit i gjashtë. 43 studentë banonin me qira, 43 udhëtonin çdo ditë, 47 banonin në konvikte dhe 43 ishin banorë të Prishtinës”, ka sqaruar Hoxha.

Autori i hulumtimit, Dibran Hoxha Foto: Atdhe Mulla

Autorja tjetër e hulumtimit, Adea Kondirolli, ka thënë se studentët paguajnë 50 euro në vit për semestër, mirëpo viti i parë dhe disa kategori janë të liruar nga kjo pagesë.

Të dhënat nga hulumtimi sipas saj kanë treguar se studentët detyrohen nga profesorët e tyre që t’i blejnë librat e tyre, përpos Fakultetit të Filologjisë dhe Shkencave Sportive të cilët nuk i obligojnë studentët për literaturë të caktuar.

“Librat detyrohen t’i blejnë nga profesorët të cilët ata i shesin nga zyrat e tyre. Ka ende libra të cilat shiten në gjuhën serbe. Shpenzimet më të larta kanë qenë nga Fakulteti i Mjekësisë me 87 euro në semestër, ndërsa më të ulëta nga Fakulteti i Shkencave Sportive me 19 euro. Studentët që udhëtojnë çdo ditë shpenzojnë mesatarisht 129 euro në muaj, ata që banojnë me qira shpenzojnë 220 euro, ata që banojnë në konvikte 140 euro, ndërsa ata që banojnë në Prishtinë shpenzojnë 139 euro.”, ka thënë ajo.

Autorja e hulumtimit, Adea Kondirolli Foto: Atdhe Mulla

Kondirolli më tej ka sqaruar se studentët që ushqehen në Mensën e Qendrës së Studentëve, paguajnë 15 euro në muaj, ndërkohë që ata që ushqehen në mënyrë vetanake, shpenzojnë 5 deri 20 euro në ditë.

Sa i përket shpenzimeve të banimit, autorja e hulumtimit ka bërë të ditur se studentët që banojnë në konvikte paguajnë 20 euro në muaj, ndërsa ata që banojnë me qira dhe për shpenzime të tjera, i harxhojnë rreth 84 euro në muaj.

“Burimi i të ardhurave kryesisht është familja, mirëpo 8 prej tyre kanë thënë se i mbulojnë vetë, 22 të tjerë kanë raportuar se edhe pse punojnë ose kanë bursë, familja detyrohet t’ua mbulojë një pjesë të shpenzimeve. Ndërsa studentët që punojnë shpenzojnë mesatarisht 86 për qind të rrogës së tyre në muaj, ndërkohë që shpenzojnë mesatarisht 20 për qind të të ardhurave të familjes për studimet e tyre”, ka thënë Kondirolli.

Në ankesat e studentëve për inventarin e disa konvikteve, drejtori i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishta tha se pas largimit të studentëve, do të fillojnë me inventarizimin e brendshëm të konvikteve të vjetra.

“Çdo student do të mund ta përdorë inventarin e njëjtë si në konviktin numër 8, si në atë numër 1. Ka ndryshime dhe po shihen ato, raporti i ardhshëm i juaj  do të jetë krejt më ndryshe se ky.”, është zotuar ai.

Në ankesat e studentëve që thonë se obligohen për blerjen e librit të profesorit të lëndës nën kushtin që të marrin më shumë pikë, prorektori për mësim dhe çështje për studentë, Hysen Bytyqi ka mohuar të kenë pasur denoncime nga studentët që dëshmojnë se kjo po ndodhë me të vërtetë.

“Literatura në gjithë botën është e kushtueshme dhe libri i profesorit nuk guxon të shitet nga ai.”, ka thënë Bytyqi.

Drejtori i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishta, Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, Prorektori për mësim dhe çështje për studentë, Hysen Bytyqi – Foto: Atdhe Mulla

Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, u bëri thirrje studentëve që të organizohen dhe t’i denoncojnë këta profesorë tek Rektorati dhe t’i bëjnë publik emrat e tyre për mediat.

“Nëse libri kish pas ndonjë vlerë, nuk kish pas nevojë profesori me i bë presion studentit për me ia ble librin. Metodat janë shumë të sofistikuara tek profesorët fatkeqësisht. Nëse nuk ja blen librin automatikisht e ke një pikë më pak dhe kjo ka të bëj me integritetin akademik fatkeqësisht. Studentët e kanë në dorën e tyre që t’u japin një mësim të mirë profesorëve kur mungon integriteti akademik.”, ka thënë ai.

Drejtori ekzekutiv i ORCA-s, Rron Gjinovci, inkurajoi studentët që t’i denoncojnë këta profesorë të cilët obligojnë blerjen e librave të tyre.

Publikimi i hulumtimit të ORCA-s, mbi shpenzimet e studentëve të Universitetit të Prishtinës Foto: Atdhe Mulla

26 Qershor 2019 - 22:06

Liridona Ademaj 26/06/2019 - 22:06
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend