Foto: Kallxo.com

Në rresht për të aplikuar për ushtar të FSK-së

Janë bërë rresht në rroba civile sot në synimin e tyre për t’iu nënshtruar rreshtit të uniformuar.

Por vetëm nëse i kanë njohuritë, aftësitë dhe fatin, gjëra që kërkohen nga të gjithë që aplikojnë për t’iu nënshtruar garës.

Një numër i madh i të rinjve kanë bërë edhe këtë të premte radhën në kazermën “Adem Jashari” në periferi të Prishtinës për t’iu përgjigjur konkursit të hapur të Ministrisë së Mbrojtjes për rekrutimin e ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e ushtrisë, interesim kanë shprehur edhe dy motra nga Tersteniku i Drenasit.

Foto: Kallxo.com

Vlora dhe Valentina Xhoka e patën një qëllim të përbashkët kur vendosën të aplikojnë për shtare në FSK.

“Jemi rritë të dyja në një frymë të njëjtë familjare, kemi shumë gjëra të përbashkëta edhe ka qenë një plus që dyjat kemi pas qef me pas uniformën veshë”, thotë Vlora.

Rrethi familjar që jemi rritë edhe ëndrra dhe dëshira e përbashkët që e kemi pasur”, vazhdon Valentina.

E numri i vajzave që kanë shprehur vullnetin të bëhen ushtaret e ardhshme të ushtrisë së Kosovës nuk është i vogël. Madje, sipas Nënkolonelit Enver Hoti ky numër është rritur në konkursin e fundit.

Ai flet edhe për fazat e ardhshme që i presin të gjithë ata që e kalojnë pragun e aplikimeve.

Enver Hoti, FSK

Ardian Kosumi ka ardhur nga komuna e Kamenicës sot për ta dorëzuar aplikimin e tij. Ai tregon se pse dëshiron të jetë ushtar i ri i ushtrisë së Kosovës.

“Mendoj që është punë e mirë edhe me mbrojtë shtetin tonë, me mbrojtë vatanin tënd, mos me ikë jashtë ose me lypë punë dikund tjetër. Ja kam filluar me u përgatitë prej që e kam parë lajmin që ka dalë konkursi”, thotë Kosumi.

Foto: Kallxo.com

E për aplikantin tjetër, Flamur Fazliu, një ëndërr që e kishte që moti po afrohet drejtë realitetit.

“Unë kam vendos me u bo ushtar i ktij vendi për me i shërby këtij vendi, gjithmonë kam pasur dëshirë edhe besoj ka me mu relizu dëshira. Si i vogël kam pas qef i shërbyu ktij venti, si ushtar por edhe si polic, besoj kësaj here do të më plotësohet dëshira”, thotë Fazliu.

Sipas Nënkolonel Hoti, të gjithë të pranuarit do të kenë fillimisht një kontratë prej 12 viteve me mundësi vazhdimi. Ndërsa, konkursi përfundon sot, 22 shkurt në ora 15 e që ishte i hapur nga 11 shkurti i këtij viti.

Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com