Linda Zeqiri fituese e turneut "Dita e Pavarësisë" në Ping-Pong/ Foto:Kallxo.com

Pingpong, Linda Zeqiri e nis vitin 2019 me trofe (Foto)

Federata e Pingpongut të Kosovës sot për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka organizuar turneun e titulluar “Dita e Pavarësisë“ në Ferizaj.

Në këtë turne në kategorinë e femrave fituese ka dalë pingpongistja më e mirë e vitit 2018-të, Linda Zeqiri, nga klubi i pingpongut Drita.

Kampionia e Kosovës në pingpong, fillimisht garën e nisi në kuadër të grupeve  në sistemin “Round Robin”, ku i fitoi tri ndeshje duke u radhitur e para në skelet.

Pas grupeve, gjilanasja në çerekfinale u takua me Loresa Imerin, të cilën e mposhti pa problem 3-0 me sete.

Zeqiri në gjysmëfinale iu desh të djersitej shumë që të kalonte në finale.

Fillimisht Alma Mehmeti ishte duke udhëhequr me 2 me 0 me sete, dhe kur u mendua se do ta fitonte këtë ndeshje ashtu nuk ndodhi, pasi Linda tregoi edhe njëherë se përse është kampione e padiskutueshme në Kosovë për pingpong. Gjilanasja arriti që ta rikthejë rezultatin në 3-2 në sete në të mirë të saj.

Në finale u takuan Iliriana Haliti nga klubi Prishtina dhe Linda Zeqiri nga klubi Drita.

Finalja solli spektakël në vete, pasi zgjati gati një orë duke i mbajtur nën ethe tifozët e pranishëm.

Linda e nisi mirë setin e parë duke avancuar në 1-0, por Iliriana arriti që ta rikthejë rezultatin në 2-1 në të mirë të saj.

Kampionia e Kosovës në pingpong, prapë arriti që ta rikthejë rezultatin në favor të saj në 3-2, duke u shpallur më e mira në turneun “Dita e Pavarësisë”.

Linda Zeqiri, pas ndeshjes deklaroi për KALLXO.com, se ky turne ishte mjaft sfidues e cilësor të cilin arriti ta fitojë me mund të madh.

“Ky ishte turneu i parë i organizuar nga FPPK-ja për këtë vit. Ishte një turne mjaft cilësor dhe me lojtare të reja. Ky turne ishte shumë sfidues për mua, pasi lojën në gjysmëfinale pothuajse e kisha të humbur, por i mblodha forcat dhe në fund arrita të triumfoj. Edhe finalja nuk ishte më e lehtë se gjysmëfinalja, pasi edhe aty pata vështirësi deri në fitimin e saj pas një loje maratonike e cila zgjati gati një orë”, ka thënë Zeqiri pas ndeshjes për KALLXO.com.

Si shpërblim vendi i parë në këtë turne është shpërblyer edhe me një shumë simbolike prej 120 eurove.