Foto: Kallxo.com

MKRS-ja do t’i financojë xhudistët kosovar (Foto)

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot ka nënshkruar memorandumet në bazë të kategorizimit me sportistët e Federatës së Xhudos dhe trajnerin Driton Kuka.

Ky memorandum iu mundëson sportistëve individual që të financohen nga MKRS-ja.

Për ministrin Gashi, kjo ditë është e veçantë për Qeverinë e Kosovës dhe vet shtetin.

“Është një ditë e veçantë për Qeverinë e vet shtetin që kemi mundësi për t’i mbështetur financiarisht ata plotë cilët pothuajse çdo vikend po na bëjnë krenarë dhe është një obligim i yni si shtet të i rrijmë karshi një pune që po e bën trajneri bashkë me xhudistët. Jam i lumtur që kemi pasë një rikthim të fuqishëm të Majlindës në ngjarjet e fundit që ndodhën”, tha Ministri Gashi fillimisht.

Ai poashtu iu drejtua kryetarit të Komunës së Pejës Gazemend Muhaxherit, që ta caktojnë lokacionin e objektit nacional për xhudo për të cilën MKRS-ja veçse i ka ndarë mjetet.

“Sot nënshkruam memorandumet për financimin e sportistëve individual, i bëj thirrje edhe kryetarit të komunës së Pejës që ta përcaktojmë lokacionin e objektit të xhudos pasi që MKRS i ka mjetet e ndara. Jam i pakënaqur me veprimet e komunës së Pejës pasi qe ka kohë që po e presim caktimin e lokacionit të objektit të xhudos që do ndërtohet”, potencoi Kujtim Gashi.

Kurse, trajneri i xhudistëve kosovar, Driton Kuka, tha se ardhja e ministrit Gashi në krye të MKRS-së, ia ka kthyer dinjitetin sportisve të xhudos.

“Sporti para ardhjes së juaj ka qenë duke ecë përpara por me një shpejtësi më të vogël. Ti e ke kthyer dinjitetin te sportistët që tani po ma bëjnë krenarë. Emri i Majlindës tani më është bërë një brend. Këtu janë 8 sportistë që i kanë prekë medaljet e kampionateve evropiane e botërore olimpike”, ka thënë Kuka.

Krejt në fund Majlinda Kelmendi tha se sportistët e xhudos ndjehen më të sigurt kur e kanë përkrahjen e shtetit.

“Sigurisht që unë dhe sportistët që janë këtu ndihemi më të sigurt kur e dimë që e kemi përkrahjen e shtetit dhe e dimë që shteti është pas nesh”, tha vajza e Artë e Kosovës.