Ekskluzive: Prishtina dhe Bashkimi konfirmojnë pjesëmarrjen në EuroCup

Klubet e basketbollit në kategorinë e vajzave, Prishtina e Bashkimi, kanë ofertë për të qenë pjesë e garës europiane “EuroCup”.

Nga rëndësia, kjo garë është e dyta në Europë pas “Euroligës”.

Të dy ekipet janë të gatshme ta prezantojnë basketbollin e Kosovës në këtë nivel, por kanë nevojë për përkrahje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, komunat dhe presin sponsorë.

Kjo do të ishte hera e parë që klubet e Kosovës do të luanin në këtë nivel.

16 vite më parë, klubi Prishtina (ish-Universiteti) kishte marrë pjesë në një garë të një niveli më të ulët – Liga Trocal.

KBF Prishtina është kampion për sezonin 2018/2019 në Superligën e vajzave pasi në finale e ka mposhtur KBF Bashkimi me seri 3-2, që do të thotë Bashkimi është nënkampion.

Federata e Basketbollit të Kosovës e kontaktuar nga KALLXO.com ka konfirmuar se që nga viti 2015, kur është pranuar në FIBA, në vazhdimësi merr ftesa për pjesëmarrje në nivele të klubeve në të dy konkurrencat.

“Federata e Basketbollit të Kosovës që nga viti 2015 kur është pranuar në FIBA në vazhdimësi merr ftesa për pjesëmarrje në nivel të klubeve në të dyja konkurrencat. Edhe këtë vit ka ndodhur e njëjta gjë. FIBA e ka dërguar informatën te Federatat Nacionale dhe ne e kemi përcjellë te ekipi kampion dhe nënkampion i Kosovës”, ka thënë për KALLXO.com sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

Dushku tregon se gjatë muajit prill ia kishte kumtuar zyrtarëve të FIBA-s se Prishtina dhe Bashkimi janë të interesuar që të marrin pjesë në këto gara dhe ata ishin ndarë të kënaqur.

“Paraprakisht në muajin prill unë gjatë qëndrimit tim në Sopron të Hungarisë në kuadër të Final Four të “Euro League Women”, unë kam biseduar me zyrtarët e lartë të FIBA-s dhe i kam njoftuar për interesimin e klubeve tona, ndërsa FIBA e ka mirëpritur një interesim të tillë dhe janë shprehur shumë të kënaqur”, tregon ajo.

Ajo ka treguar se FBK-ja e ka për obligim në bazë të statutit që të përkujdeset financiarisht dhe në aspektin organizativ për ekipet përfaqësuese të Kosovës në të dyja kategoritë nëse vendosin të marrin pjesë në garat ndërkombëtare.

Po ashtu Dushku shton se do ndikojnë pozitivisht te MKRS-ja dhe komunat përkatëse që t’i ndihmojnë këto ekipe.

“Në anën tjetër dihet që FBK-ja e ka për obligim me statut të përkujdeset financiarisht dhe në aspektin organizativ për ekipet përfaqësuese të Kosovës në të dyja konkurrencat e që sivjet i kemi 8 në gara ndërkombëtare, ndërsa ndihma që ne mund t’ua japim klubeve në vitet e para të garave ndërkombëtare është në aspektin organizativ, sepse kriteret janë shumë të ashpra dhe FBK tashmë ka përvojë shumë të mirë në këtë aspekt. Po ashtu do t’iu ndihmojmë klubeve duke ndikuar në aspektin pozitiv te Ministria e Sportit dhe komunat përkatëse për t’i dalë në ndihmë këtyre klubeve”, potencon ajo.

FBK-ja në buxhetin e vitit 2019 nuk e ka paraparë pjesëmarrjen e këtyre dy klubeve në garat ndërkombëtare, mirëpo Dushku thotë se nëse këto klube paraqiten në këto gara, atëherë Bordi i FBK-së do të diskutojë për një gjë të tillë.

“Në buxhetin e FBK-së të vitit 2019 nuk kemi paraparë ndihmën e klubeve për gara ndërkombëtare, por duke pasur parasysh së është hera e parë që dy klube do të paraqiten, nëse paraqiten, sigurisht se Bordi i FBK-së do të diskutojë për një gjë të tillë”, ka përfunduar Elvira Dushku.

Elivra Dushku – Sekretare e Përgjithshme e FBK-së

Ndërkaq, trajneri i KBF Prishtina në kategorinë e vajzave, Fidan Shatri thotë se e kanë parë të arsyeshme që këtë vit të marrin pjesë në këtë garë, pasi është e rëndësishme për ta që ta dinë se ku është niveli i tyre në gara ndërkombëtare.

“E kemi parë të arsyeshme që të dalim nga “izolimin” këtë vit, të marrim pjesë në këtë garë që është shumë e fortë, por është e rëndësishme të shohim nivelin se ku ndodhemi, pasi që basketbolli femëror ka nevojë për një gjë të tillë”, ka treguar ekskluzivisht për KALLXO.com trajneri i Prishtinës.

Sipas Shatrit, Prishtina tani e ka mbështetjen nga Komuna dhe MKRS-ja. Ai beson në mbështetjen e të gjithëve.

“Mund të them që kemi mbështetjen nga të gjitha institucionet, kemi fatin që kemi një ministër që përkrah maksimalisht sportin dhe një kryetar komune që sa vite na ka mbështetur maksimalisht. Faktin që kemi të bëjmë me një garë të nivelit të lartë besoj në mbështetjen e të gjithëve”,  tregon Fidan Shatri.

Ndërsa presidenti i klubit Prizreni, i cili doli nënkampion për këtë sezon, Rrahman Përteshi, ka treguar për KALLXO.com se janë të gatshëm që të marrin pjesë në “EuropaCup” dhe presin përkrahjen nga Komuna e Prizrenit dhe nga MKRS-ja.

“Ne si ekip jemi gati së bashku me stafin tonë, si nënkampion të Kosovës në basketboll, të marrim pjesë në fazën e grupeve për “EuroCup”. Po e presim vetëm përkrahjen nga Komuna e Prizrenit dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata e Basketbollit të Kosovës”, tregon Përteshi.

Ai ka treguar se brenda javës do të kenë një vendim definitiv se a do të marrin pjesë në këtë garë, mirëpo nëse marrin thotë se do tentojnë që ta përfaqësojnë denjësisht Kosovën dhe qytetin e Prizrenit në basketboll.

“Brenda javës do të jetë definitive se a do të marrim pjesë në këtë garë. Do të jetë e vështirë duke e ditur nivelin e ligës, por ne do të garojmë që ta përfaqësojmë sa më mirë Kosovën dhe qytetin e Prizrenit në basketboll”, potencon ai.