Influencimi rus në zgjedhjet presidenciale amerikane - Foto: Rtv21

​Facebook, Twitter dhe Google Thirren në Senat për Ndërhyrjet Ruse

Kongresi amerikan thirri sot drejtues të Facebook, Twitter dhe Google për të qartësuar madhësinë e dezinformimit rus gjatë fushatës presidenciale, një ditë pas dënimeve të para të të afërmve të Donald Trump.

Drejtuesit juridikë të Facebook dhe Twitter, si dhe drejtori i sigurisë së Google, do të merren në pyetje sot gjatë një dëgjese publike në Senat.

“Përmbajtja ekstremiste dhe dezinformacioni rus në internet: të gjendet një zgjidhje me sipërmarrjet e teknologjisë”, është tema mbi të cilën do të zhvillohet kjo dëgjesë.

“Facebook pritet që të publikojë me këtë rast se 126 milionë përdorues amerikanë kanë parë të shfaqet në faqet e tyre përmbajtje të publikuara nga palë ruse, me qëllim influencimin e zgjedhjeve amerikane”, sipas të përditshmes amerikan “Wall Street Journal”.

“Nga ana e tij, Twitter ka identifikuar 36.746 llogari që kanë krijuar përmbajtje automatike, në lidhje me zgjedhjet dhe të lidhura me Rusinë. Mesazhet e shpërndara nga këto llogari janë parë në nivelin 0,33 për qind në atë kohë”, sipas një burimi pranë kësaj kompanie.

E njëjta situatë edhe në YouTube, në pronësi të Google, ku kanale të lidhura me Rusinë kanë prodhuar video që kanë arritur deri në 309.000 shikime në 18 muajt para zgjedhjeve, një shifër e lartë por, shumë larg arritjes së një rekordi.

Në të gjitha këto raste, përgjegjësi i përmendur nga kompanitë është “Internet Research Agency”, një sipërmarrje me qendër në Shën Petersburg dhe e lidhur me shërbimet sekrete ruse. /21Media