Vendimi i Gjykatës për më shumë se 500 qytetarë të mashtruar me viza gjermane

 

Mbi 100 faqe aktakuzë, e rreth 500 të dëmtuar ishin në rastin e shënjestruar,  ku objekt i akuzës ishte mashtrimi me viza punësimi në Gjermani, nga shkolla profesionale “DBBS“ në Prizren.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale i ngarkonte të akuzuarit Flamur Hoxha e Besim Rexhaj se në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, atë të mashtrimit, si dhe në bashkëkryerje të kenë kryer veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të dyshuarit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175.00 euro dhe nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775.00 euro.

I akuzuari Flamur Hoxha akuzohej edhe për veprën penale të shmangies nga tatimi.

Ndërsa i akuzuari tjetër Veprim Rexhepi, sipas aktakuzës, ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Gjykata Themelore e Prizrenit brenda 507 ditësh e ka gjykuar rastin, kur me datë 9 janar ka dhënë aktgjykimin përfundimtar.

Me 10 vite e gjysmë burgim ka përfunduar procesi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për mashtrim të rreth 500 kosovarëve për viza pune në Gjermani.

Flamur Hoxha është dënuar me 6 vite burgim dhe 21 mijë euro, ndërsa Besim Rexhaj me 4 vite burgim dhe 12 mijë euro.

I akuzuari i tretë Veprim Rexhepi është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht për falsifikim të dokumenteve.

Por cili është vendimi i Gjykatës për 500 të dëmtuar?

Trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Xheladin Osmani dhe anëtarët Fidan Hoxha dhe Alija Fazlji, pos dënimeve me burgim dhe gjobë të shqiptuar ndaj të akuzuarve, i kanë shqiptuar edhe dënim plotësues.

Turpi gjykues ka lëshuar urdhër për kompensimin e humbjes apo dëmit ndaj të dëmtuarve, ashtu që i akuzuari Flamur Hoxha duhet të bëjë kompensimin e 272 të dëmtuarve, ndërsa i akuzuari Besim Rexhaj duhet të bëjë kompensimin e 228 të dëmtuarëve.

Por kompensimi i të dëmtuarve do të bëhet në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nëse ky aktgjykim vërtetohet në këtë formë nga Gjykata e Apelit.

Ndaj këtij aktgjykimi kanë të drejtën e ankesës prokurori i çështjes si dhe mbrojtësit e të akuzuarve, ndërsa rasti pritet t`i kaloj Gjykatës së Apelit për shqyrtim.

Në seancën e datës 28 mars, me propozimin e avokatëve dhe të prokurorit trupit gjykues kishte vendosur që 500 të dëmtuarit të mos ftoheshin si dëshmitar dhe të dëgjoheshin të gjithë para trupit gjykues, por deklaratat e tyre të dhëna në procedura hetimore para Policisë dhe para Prokurorisë Themelore Prizren apo edhe para Prokurorisë Speciale do të lexohen nga trupi gjykues.

Para se të merrej ky vendim në Gjykatë ishin dëgjuar si dëshmitarë rreth 50 të dëmtuar.

Ata tregonin kryesisht se për sa kohë kishin ndjekur trajnimet dhe kurset e ndryshme, çfarë kishin qenë kushtet e kontratës së nënshkruar me të akuzuarit dhe se cilat ishin shumat e të hollave që i kishin paguar.

Të gjithë dëshmitarët deklaronin se e konsiderojnë veten të dëmtuar dhe të mashtruar.

Të dëmtuarit deklaronin se kishin marrë borxh e kishin hyrë në kredi për të paguar për vizat gjermane.

Të dëmtuarit thonë se morën kredi e hynë borxh për të paguar për ‘vizat gjermane’

Kallxo.com në vazhdimësi ka raportuar për gjykimin e rastit të shënjestruar për liberalizim vizash.

Gjykimi për vizat gjermane, të akuzuarit nuk pranojnë t’ua kthejnë paratë të mashtruarve