Prizreni. Foto: KALLXO.com

Të dëmtuarit thonë se morën kredi e hynë borxh për të paguar për ‘vizat gjermane’

Në gjykimin për mashtrim me viza pune të Gjermanisë, për çka akuzohen Flamur Hoxha e Besim Rexha, vazhdojnë të paraqiten të dëmtuar të rinj.

Kështu, numri i të dëmtuarve në këtë rast ka shkuar në mbi 490.

Ndërkohë, në Prokurorinë e Prizrenit, por edhe në atë Speciale, si dhe në Gjykatën e Prizrenit vazhdimisht po paraqiten persona të tjerë, të cilët po pretendojnë se janë mashtruar nga të akuzuarit.

Ata po ofrojnë prova materiale e fletëpagesa për të dëshmuar se janë dëmtuar nga të akuzuarit.

Në seancën e së enjtes janë paraqitur për të dëshmuar 13 të dëmtuar.

Ata tregonin kryesisht se për sa kohë kishin ndjekur trajnimet dhe kurset e ndryshme, çfarë kishin qenë kushtet e kontratës së nënshkruar me të akuzuarit dhe se cilat ishin shumat e të hollave që i kishin paguar.

Të gjithë dëshmitarët thanë se e konsiderojnë veten të dëmtuar dhe të mashtruar.

Të pyetur nga prokurori, Afrim Shefkiu, se a e kërkojnë kompensimin e dëmit, që të gjithë thanë që e kërkojnë dëmin material, por edhe jomaterial për dëmin e shkaktuar.

Dëshmitarët treguan edhe për profesionet që ishin ofruar nga kontratat që kishin nënshkruar për punë në Gjermani. Disa nga ta thanë se iu ofrua punë si mirëmbajtës i kopshteve, apo edhe  punëtorë në ndërtimtari, murator e profesione tjera për të cilat kishin ndjekur trajnime të ndryshme.

Të dëmtuar të tjerë treguan se paratë disa i morën borxh nga familjarë e të tjerë thanë se kanë marrë edhe kredi për të kryer pagesat.

Dëshmitari Qëndrim Ahmeti nga komuna e Shtimes tha që për të siguruar paratë ”kam hyrë në kredi në njërën bankë, të cilën tash ia kam paguar”.

Ndërsa i dëmtuari Abedin Berisha nga fshati Rogovë të Gjakovës me profesion bujk, tha që “të hollat i kam siguruar me shumë vështirësi nga puna bujqësore”.

Mustafë Haradinaj nga komuna e Vushtrrisë, tha se është i dëmtuar pasi që sipas tij “të hollat i kam marrë kredi, të cilën ende jam duke e paguar”.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, mbrojtësi i të akuzuarit Flamur Hoxha, avokati Durim Nevzati, paraqiti kërkesë që i mbrojturi i tij të lirohet nga paraburgimi.

“I mbrojturi im Flamur Hoxha ka shprehur gatishmëri që kjo çështje të ketë epilog sa më të drejtë dhe që procesi gjyqësor të vazhdojë në procedura më të shpejta, e edhe i njëjti është i pabarabartë në këtë çështje penale”, tha avokati.

Edhe i akuzuari Flamur Hoxha deklaroi se është i pabarabartë me të akuzuarit e tjerë.

“Po qëndroj që 20 muaj në paraburgim e të akuzuarit tjerë shkojnë në pushim në Turqi, e unë kam shprehur edhe gatishmëri për kompensimin e të dëmtuarve nga ana ime”, tha i akuzuari.

I njëjti gjithashtu deklaroi se shkolla DBBS është mbyllur për shkak të arrestimit të tij.

E njëjta shkollë sipas tij ka pasur licencë dhe është akredituar nga ministritë përkatëse.

Por kërkesa e tyre u refuzua nga kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani deri në një vendim të radhës.

Seancat e ardhshme u caktuan për datat 16, 17 e 23 prill.

Në më shumë se 100 faqe aktakuzë, Prokuroria Speciale i ngarkon Flamur Hoxhën e Besim Rexhajn se në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, atë të mashtrimit, si dhe në bashkëkryerje të kenë kryer veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

I akuzuari Flamur Hoxha ngarkohet edhe me veprën penale të shmangies nga tatimi.

Kështu të njëjtit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175,00 euro e nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775,00 euro.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Veprim Rexhepi, sipas aktakuzës, ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

https://kallxo.com/gjykimi-per-vizat-gjermane-te-akuzuarit-nuk-pranojne-tua-kthejne-parate-te-mashtruarve/

Në fund të muajit shkurt të akuzuarit nëpërmjet avokatëve të tyre kishin kërkuar që t’u lejohej një afat i arsyeshëm nga Gjykata që të negociojnë me Prokurorinë Speciale marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

https://kallxo.com/gjykimi-per-vizat-gjermane-te-akuzuarit-nuk-pranojne-tua-kthejne-parate-te-mashtruarve/

Por, kjo marrëveshje nuk u arrit, e prokurori dhe avokatët i hodhën fajin njëri-tjetrit.

Kjo për shkak se prokurori kishte ngulur këmbë se kusht i panegociueshëm për arritjen e marrëveshjes është kompensimi i të dëmtuarve. “E ky kusht nuk është pranuar nga avokatët dhe të akuzuarit”,  kishte deklaruar prokurori Afrim Shefkiu para trupit gjykues.

E avokatët u ankuan para trupit gjykues për prokurorin Afrim Shefkiu pasi që sipas tyre Prokuroria nuk është treguar fleksibile në negocimin për marrëveshje dhe se negocimi ka qenë me kushte nga ana e prokurorit Shefkiu.

https://kallxo.com/aktakuza-si-u-mashtruan-489-qytetare-te-kosoves-me-punesim-ne-gjermani/

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj në periudhën kohore qershor 2016 deri në muajin gusht 2017, në Prizren me qëllim të përfitimit për vete dhe persona të tjerë, pasi që më parë kanë pranuar mjete monetare të shumta dhe duke i mashtruar një numër shumë të madh të qytetarëve të Kosovës, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, duke përfituar me anën të veprës penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve nga secili i dëmtuar shumën prej 2.500 – 3.000 euro, ku numri i të dëmtuarve është 489, të njëjtit fare nuk i kanë punësuar të dëmtuarit në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë, transferuar ato te persona të tjerë pastaj duke shtresuar pasurinë e paligjshme përmes blerjes së pronave të luajtshme si vetura të shtrenjta, apo të paluajtshme, shtëpi dhe banesa.

Ky rast është i shënjestrurar për liberalizim vizash dhe ka karakteristikë numrin e madh të të dëmtuarve, mbi 490, dhe një aktakuzë me 112 faqe.