Tentim vrasjen me kallashnikov, prokuroria e rikualifikon në lëndim të lehtë trupor

Përparim Bajoku, i akuzuar për vrasje në tentativë të Bujar Matoshit e ka pranuar fajin pasi të njëjtit prokuroria ia ndryshoi barrën penale nga vrasje në tentativë në lëndim të lehtë trupor.

Sipas aktakuzës, Përparim Bajoku me dashje që ta privon nga jeta të dëmtuarin Bujar Matoshi, shkon në rrugën “27 Nëntori” me veturë “Pasat” me ngjyrë të zezë, dhe posa e sheh të dëmtuarin del nga vetura, fillojnë të fjalosen dhe në një moment, i akuzuari nga bagazhi i veturës e merr një armë kallashnikov dhe gjuan me 7 plumba në drejtim të të dëmtuarit, me ç’rast me njërin nga plumbat e godet në këmbën e djathtë përfundi gjurit dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Prokurorja e rastit, Fitore Sadikaj deklaroi se gjatë shqyrtimit të provave kishte dalur një rrethanë e re, e cila nuk ishte vërtetuar se i akuzuari Përparim Bajoku, ka tentuar që ta privojë nga jeta  tani të dëmtuarin Bujar Matoshi, andaj tani të akuzuarin e ngarkoi për dy veprat penale, mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe lëndim i lehte trupor.

“Për veprën penale mbajtja në kontrollë, posedim ose pronësi të paautorizuar të armëve i akuzuari e kishte pranuar fajësinë që nga fillimi i shqyrtimit gjyqësor, ndërsa lëndimi i lehtë trupor u vërtetua nga provat e elaboruara gjatë këtij shqyrtimi si nga dëshmia e dëshmitarit Bujar Matoshi, i cili në seancat e kaluara kishte deklaruar se i akuzuari, me pas deshtë me më vra më kish vra, po s’besoj se e ka pasë atë qëllim pasi që plumbat  i ka gjuajtur këmbës edhe tokës se me pas godit drejtë më kish goditë shok e përpjetë”, theksoi prokurorja.

Në fund, shtoi se i propozon gjykatës që të njëjtin ta shpallë fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit për këto dy vepra penale.

Pas fjalës përfundimtare të palëve, gjykata shpalli aktgjykim dënues për të  akuzuarin Përparim Bajoku. Për veprën penale lëndim i lehtë trupor iu shqiptua dënim burgimi me kohëzgjatje prej 5 muajve, ndërsa për veprën mbajtja në pronësi posedim ose kontrollë të paautorizuar të armeve, iu  shqiptua dënimi me burgim prej 6 muajve. Dënim unik për këto vepra penale iu shqiptua në kohëzgjatje prej 10 muaj burgim dhe 2 ditë, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në  paraburgim.