Foto-ilustrim

Stomatologu akuzohet se vodhi karrigen QMF-së dhe e dergoi në shtëpi

Dështon të mbahet seanca kundër stomatologut të Qendrës së mjekësisë familjare, Valdet Lajqi, i cili akuzohet nga Prokuroria se i shkaktoi dëm Qendrës së Mjekësisë Familjare duke marrë një karrige stomatologjike për ordinancën e tij private.

Arsyeja e dështimit të kësaj seance ishte mungesa e mbrojtëses se të akuzuarit Valdet Lajqi, avokate Kosovare Kelmendi.

Stomatologun, Valdet Lajqi, Prokuroria po e akuzon se ka përvetësuar pasurinë e cila iu është besuar për shkak të detyrës së tij.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit 2015-të i pandehuri Lajqi kishte kërkuar nga punëtori i tij Agim Thaçi që një karrige stomatologjike ta hiqte nga QMF-ja dhe të dërgonte në shtëpinë e Etrit Tahirit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, punëtori Agim Thaçi e kishte marrë veturën e tij private të llojit “Pick-up” dhe së bashku me të pandehurin Valdet Lajqi e kishin dërguar te shtëpia e Etrit Tahirit në Matiqan.

Pas dy javësh, me kërkesën e të pandehurit Lajqi, Etrit Tahiri dhe Agim Thaçi ia dërgojnë karrigen stomatologjike në ordinancën e tij private “Viva Dent”, në lagjen Dardania në Prishtinë.

Me këtë veprim i akuzuari i ka shkaktuar dëme Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë.