Si arriti pejani ta bëjë gruan veterane!

Demë Deskaj është shpallur fajtorë dhe është dënuar nga Gjykata e Pejës për falsifikimin e dokumenteve me të cilat ai kishte bërë gruan e tij veterane të rrejshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK.

Deskaj është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, dënim i cili nuk do t`i ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Deskaj i cili e kishte pranuar fajin para gjykatësit Shaqë Curri, akuzohej nga Prokuroria se ka siguruar dokumente të falsifikuara në emër të bashkëshortes se kinse e njëjta është veterane luftëtare e UÇK-së, duke dorëzuar këto dokumente në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në seancën e mbajtur sot, prokurorja e çështjes Lumturije Vuçetaj ka bërë plotësimin e aktakuzës duke propozuar që ndaj të akuzuarit të shqiptohet urdhri për publikim të aktgjykimit.

Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, ka deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë se Pejës mbi 7000 aplikacione nga “Dosja e Veteranëve të Rrejshëm”.

Sipas të dhënave qe ka siguruar KALLXO.com deri më tani Prokuroria e Pejës ka ngritur 39 aktakuza lidhur me këtë dosje.

Dosja e Prokurorisë: Skema e përfitimeve nga falsifikimet për veteranët e rrejshëm në Pejë

.