Dosja e Prokurorisë: Skema e përfitimeve nga falsifikimet për veteranët e rrejshëm në Pejë

Prokuroria e Pejës po akuzon 4 persona lidhur me dosjen e veteranëve të rrejshëm, për vepra penale legalizim i përmbajtës se rreme, ndihmë, dhe falsifikim i dokumenteve.

Sipas aktakuzës, i akuzuari B.R. ka vënë në lajthim Departamentin përkatës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale duke prezantuar dokumente të falsifikuara se kinse është Veteran Luftëtar i UÇK-së, për të përfituar pagën e veteranit.

Me këtë Prokuroria thotë se ai i kishte shkaktuar Ministr8isë dëm prej 1530 euro.

I akuzuari tjetër P.B akuzohet se e ka ndihmuar dhe udhëzuar të akuzuarin e parë B.R. që t’i përdorë dokumentet e falsifikuara kinse është veteran luftëtar i UÇK-së duke i siguruar dokumentet nga i pandehuri tjetër P.D. duke paguar shumën prej 1500 euro.

Dosja e prokurorisë sqaron se L.K. ndihmoi të pandehurit B.R., A.Th., V.A., R.RR., R.G. dhe F.G, duke i pranuar dokumentet personale të qytetarëve së bashku me të hollat për secilin veç e veç. Aktakuza thotë se ai këto të holla i kishte dërguar tek i pandehuri XH.M. Ky i fundit kishte marrë shumën prej 1300 euro, ndërsa 200 prej tyre si kompensim i kishte marrë i pandehuri L.K, para se t’ua dorëzojë atyre dokumentet e falsifikuara.

Kurse XH.M akuzohet se në vazhdimësi kishte përpiluar dokumente te falsifikuara për kinse origjinale për Veteran Luftëtar te UÇK-së si dhe dokumente personale të udhëtimit.

Aktakuza thotë se me ato dokumente kanë përfituar skema pensionale të statusit të veteranit luftëtar, ku të njëjtit kanë paguar secili shumën rreth 1500 euro nëpërmes te pandehurit L.K, e për te gjitha këto ky i fundit ka përfituar për secilin rast shumën prej 200 euro.

Të akuzuarit XH.M. dhe L.D. janë nën masën e paraburgimit.

“Gjatë hetimit është potencuar se janë deleguar prova të mjaftueshme si bazë për fillimin e hetimit kundër dy personave në Prishtinë dhe Mitrovicë, ku dyshohet se kanë fabrikuar dokumente për përfitim të statusit të veteranit luftëtar. Gjersa janë autorizuar policia që dosjet për veteranë që kanë rezultuar si të falsifikuara të delegohen në kompetencë përkatëse territoriale” , tha Prokuroria e Pejës për KALLXO.com.

Gjatë ditës se sotme, përveç kësaj aktakuze, janë ngritur edhe dy aktakuza lidhur me këtë dosje.