Albana Morina - FOTO ARKIV

Shtyhet seanca për kthim në vendin e punës dhe kompensim të pagave

Seanca gjyqësore, ku Albana Morina përmes padisë po kërkon kthimin në vendin e punës në bankën ProCredit dhe kompensimin e pagave, është shtyrë në afat të pacaktuar.

Seanca dështoi të mbahej, për arsye se gjyqtari i caktuar për këtë lëndë, Xhemajl Latifi, mungoi për arsye shëndetësore, si rrjedhojë seanca është shtyrë për një datë të pacaktuar.

Ky rast po trajtohet për herë të dytë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi që paraprakisht në prill të vitit 2016 Gjykata aprovoi pjesërisht padinë e paditëses mirëpo Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, “ProCredit Bank” obligohej që Albana Morinën ta kthejë në punë, t’i kompensohen pagat nga momenti i largimit nga vendi i punës, në emër të tatimit në burim në Administratën Tatimore t’i paguhen 1,667 euro, në Trustin Pensional t’i transferojë në emër të paditëses 2,550 euro me kamatë ligjore, si dhe të paguajë shpenzimet procedurale.

Po ashtu, sipas vendimit,  ProCredit Banka detyrohej që Morinës nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënies  së punës e datës 4 qershor 2013 e deri më 31 janar 2016 kur me vendim të gjykatës ishte bërë ekspertiza financiare, t’i kompensohen 22 mijë e 557 euro

Ndaj këtij vendimi e paditura ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimin se ka pasur shkelje thelbësore të rregullave të procedurës kontestimore, se vendimi ka pasur aplikim të gabuar të së drejtës materiale dhe vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike..

“ProCredit Bank” si palë e paditur i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ta aprovojë ankesën që aktgjykimi të ndryshohet për pikat e vendimit me të cilat janë aprovuar kërkesat e Morinës duke refuzuar kërkesëpadinë e paditëses dhe duke e detyruar atë që t’i paguajë shpenzimet e procedurës.

Ankesë kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë e ka bërë Albana Morina si paditëse.

Sipas ankesës, Gjykata me aktgjykime e nxjerrë ka bërë vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

Albana Morina kërkoi që Gjykata e Apelit të ndryshojë pikat në të cilat janë refuzuar kërkesat e saj. Në ankesën e Morinës theksohet se edhe pse i ka vlerësuar pretendimet e saj për diskriminim Gjykata prapë nuk ka zbatuar Ligjin Kundër diskriminimit e Ligjin e Punës.

Morina po kërkon që Gjykata ta detyrojë të paditurën që t’ia paguajë asaj dyfishin e pagave për shkak të diskriminimit në punë dhe në emër të kompensimit për dëmin jomaterial në shumën 100 mijë euro, për dhimbje shpirtërore ajo kërkon shumën 20 mijë euro, kërkesa këto të refuzura nga Gjykata e shkallës së parë.

Këto pretendime të paditëses mohohen nga përfaqësuesit e bankës.

Shkrimet e Kallxo.com lidhur me kë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK