‘ProCredit Bank’ e Albana Morina i Drejtohen Apelit

Banka “ProCredit Bank” si palë e paditur dhe ish-punonjësja e saj, Albana Morina, si paditëse, janë ndarë të pakënaqura me vendimin e dhënë një muaj më parë nga  Gjykata Themelore në Prishtinë.

Për këtë arsye, palët ndërgjyqësore i janë drejtuar shkallës së dytë, duke kundërshtuar aktgjykimin e shpallur nga gjykata e shkallës së parë.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, “ProCredit Bank” obligohet që Albana Morinën ta kthejë në punë, që asaj t’i kompensohen pagat nga momenti i largimit nga vendi i punës, që në emër të tatimit në burim në Administratën Tatimore t’i paguhen 1,667 euro, në Trustin Pensional t’i transferojë në emër të paditëses 2,550 euro me kamatë ligjore, si dhe të paguajë shpenzimet procedurale.

http://kallxo.com/albana-morina-fiton-gjyqin-ndaj-procredit-bank/

Firma e avokatëve “Judex” si përfaqësuese e bankës ka kundërshtuar aktgjykimin duke konsideruar se ka pasur shkelje thelbësore të rregullave të procedurës kontestimore, se vendimi ka pasur aplikim të gabuar të së drejtës materiale dhe vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas kësaj ankese, Gjykata nuk ka bërë vlerësimin e të gjitha provave dhe se paditësja ka dhënë deklarime të cilat nuk i ka argumentuar me prova në Gjykatë.

“Aktgjykimi nuk përmban arsyet për faktet vendimtare kurse arsyet e dhëna janë të paqarta dhe në kundërshtim me vetveten”, thuhet në ankesën e përfaqësuesit të bankës.

Në ankesë thuhet po ashtu se aktgjykimi është kontradiktor edhe sa i përket çështjes së diskriminimit sepse, sipas palës së paditur, ka dallime ngase diku konsiderohet se çështjet që kanë lidhje me diskriminimin janë të bazuara e diku të pabazuara.

Mbrojtja e bankës pretendon se Gjykata nuk e ka vërtetuar se ka ndodhur diskriminimi siç përcaktohet me Ligjin e Punës dhe pandeh se nuk është zbatuar as Ligji kundër Diskriminimit.

“ProCredit Bank” si palë e paditur i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ta aprovojë ankesën që aktgjykimi të ndryshohet për pikat e vendimit me të cilat janë aprovuar kërkesat e Morinës duke refuzuar kërkesëpadinë e paditëses dhe duke e detyruar atë që t’i paguajë shpenzimet e procedurës. Si alternativë, e paditura kërkon nga Gjykata e Apelit që vendimin e shkallës së parë ta prishë dhe çështjen ta kthejë në rigjykim.

Ankesë kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë bëri edhe Albana Morina si paditëse.

Sipas ankesës, aktgjykimi ka bërë vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

Albana Morina kërkon që Gjykata e Apelit të ndryshojë pikat në të cilat janë refuzuar kërkesat e saj.

Në ankesën e Morinës theksohet se edhe pse i ka vlerësuar pretendimet e saj për diskriminim Gjykata prapë nuk ka zbatuar Ligjin Kundër Diskriminimit e Ligjin e Punës.

Morina kërkon që Gjykata e Apelit ta detyrojë të paditurën “ProCredit Bank” që t’ia paguajë asaj dyfishin e pagave për shkak të diskriminimit në punë dhe në emër të kompensimit për dëmin jomaterial në shumën 100 mijë euro, për dhimbje shpirtërore ajo kërkon shumën 20 mijë euro.

Në rastin e Morinës, sipas vendimit të gjykatës së shkallës së parë banka është detyruar që asaj nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënies  së punës e datës 4 qershor 2013 e deri më 31 janar 2016 kur me vendim të Gjykatës ishte bërë ekspertiza financiare, t’i kompensohen 22 mijë e 557 euro.

Po ashtu, me atë vendim ishte përcaktuar që banka ta kompensojë Morinën nga 1 shkurti i këtij viti e deri në zbatimin e aktgjykimit në shumën prej 750 eurove në muaj sipas pagës në vendin e punës në të cilin ka punuar paditësja.

Banka si e paditur është detyruar që në llogarinë e Morinës në Administratën Tatimore të paguajë 1,667 euro ndërsa në Trustin Pensional 2,550 euro.

Vendimi e ka detyruar bankën gjithashtu që t’ia paguajë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore në vlerë prej 1164 euro.

Për këtë rast KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi.

http://kallxo.com/albana-morina-kerkon-mbi-140-mije-euro-demshperblim-nga-procredit-bank/

http://kallxo.com/ish-punetorja-jep-deklaraten-ne-gjyqin-ndaj-procredit-bank-es/