Foto: Ilustrim

Rasti i të miturës nga Drenasi, deklarohen të pafajshëm të akuzuarit

Gjashtë të akuzuarit lidhur me keqpërdorimin seksual të të miturës në Drenas kanë dalë sot para Gjykatës për t’u ballafaquar me akuzën e Prokurorisë.

Të akuzuar në këtë rast janë avokati Gazmend Halilaj, polici Vesel Veseli, arsimtari Shkëlzen Gjekaj si dhe tre personat të tjerë me inicialet F.C., I.R., dhe H.H.

Të akuzuarit sot u deklaruan të pafajshëm për veprat penale qe u vihen në barrë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i të akuzuarit Gazmend Halilaj, avokati Bledar Gashi.

“Po, sot është mbajtur seanca fillestare. Gjashtë të akuzuarit, përfshirë këtu edhe të mbrojturin tim, janë deklaruar të pafajshëm”, tha avokati Gashi.

“Klienti im është i pafajshëm. Nuk ka asnjë provë që e implikon atë për veprat penale për të cilat akuzohet”, tha avokati.

Avokati shtoi se brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesë për kundërshtim të provave dhe aktakuzës.

Skandali i abuzimit seksual në Drenas, mesazhet që e ndërlidhin avokatin me dyshimet

Shkëlzen Gjekaj akuzohet për keqpërdorim seksual pasi dyshohet se duke keqpërdorur profesionin e tij e ka keqpërdorur seksualisht të miturën.

Ai akuzohet edhe për veprën penale – nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës.

Për keqpërdorim seksual po akuzohet edhe Vesel Veseli.

Ai akuzohet edhe për shtytje në ndërprerjen e palejuar të shtatzënësisë.

Ndërsa avokati Gazmend Halilaj përpos keqpërdorimit seksual akuzohet edhe për frikësim gjatë procedurës penale.

Për keqpërdorim seksual, Prokuroria e Prishtinës po i akuzon edhe tre të pandehurit e tjerë F.C., I.R., dhe H.H.