Seanca në rastin e tentimvrasjes së Gazmend Halilajt FOTO-Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Dëgjohen dëshmitarët në rastin e të akuzuarve për tentimvrasjen e Gazmend Halilajt

Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri, të akuzuar për tentim vrasje të rëndë dhe dëmtim të pasurisë ndaj avokatit Gazmend Halilaj, si dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, sot janë ballafaquar me dëshmitarët në Gjykatë.

Në seancën e sotme janë dëgjuar dëshmitarët: Isa Xhemajli, Nexhat Fazliu dhe Faton Ramadani.

Dëshmitari Isa Xhemajli tha se është takuar me avokatin Halilaj pas këtij rasti dhe kanë biseduar për një rast tjetër.

“Jam takuar me Gazmendin pas dy ditësh nga rasti dhe kemi biseduar për një rast tjetër, ku Gazmendi ka pas konflikt me një person tjetër, këto dy raste nuk kanë asnjë relevancë mes vete. Nuk i kam njohë personat e përfshirë në këtë ngjarje dhe unë kam qenë vetëm ndërmjetësues mes Samisë dhe Gazmendit”, deklaroi dëshmitari Xhemajli.

Ai shtoi se Sami Lushtaku e kishte dërguar te Gazmend Halilaj.

Më pas, dëshmitari Nexhat Fazliu, tha se ka shkuar ta vizitojë avokatin Halilaj pas aksidentit.

“Kam qenë me pa Gazin për aksidentin që i ka ndodhë, por pa e ditë se kush ka qenë i përfshirë. Kur kam shku aty, Gazi më ka thënë se “krimineli Sami Lushtaku e ka bërë këtë”, unë i kam thënë se “nuk e di kush e ka bërë, por ai që e ka bërë do ballafaqohet me ligjin”. Për çdo fatkeqësi që i ka ndodhur Gazit kam shku me pa”, tha dëshmitari Fazliu.

Ai tha se pas disa ditësh e ka kuptuar që është Ibrahim Lushtaku.

“Poashtu nuk besoj që Sami Lushtaku qëndron prapa kësaj ngjarje”, shtoi ai.

Prokurorja e rastit Bukurije Gjonbalaj, deklaroi se nuk ka pyetje të tjera për dëshmitarët.

“Në bazë të asaj që po shihet, dëshmitarët janë të përgatitur ashtu që tërë kohën kanë qëndruar me avokatin Tahir Rrecaj dhe të akuzuarit”, tha prokurorja Gjonbalaj

Kurse avokati Rrecaj i cili mbron të akuzuarin Ibrahim Lushtaku, tha se këto janë spekulime.

“Këto janë spekulime, qe 11 vjet jam avokat dhe asnjëherë në jetën time nuk jam takuar me asnjë dëshmitar, tërë jetën time kam jetu me nder dhe do vdes me nder”, tha avokati Rrecaj

Ndërsa dëshmitari i tretë, Faton Ramadani, deklaroi se ka qenë te i dëmtuari Halilaj dhe se ka raporte të mira me një person të quajtur Avni Gjinovci.

“Avniu më ka çu me folë me Gazin, për me u pajtu rreth problemit qe e ka pas Gazi. Kur kam shku te Gazi për me folë me të, ai ka qenë në gjendje të rëndë dhe e kena lënë me shku një herë tjetër me folë”, deklaroi dëshmitari Ramadani.

Ai shtoi se e ka vizituar avokatin Halilaj, pasi që vazhdimisht takohet me të.

“Kam shkuar sërish te Gazi pasi me të rrimë vazhdimisht, për këtë punë më s’kam diskutu dhe e di se ka pas njerëz të tjerë që kanë këqyrë me ndërmjetësu me Gazin”, shtoi dëshmitari Ramadani.

Prokurorja Gjonbalaj deklaroi se heq dorë nga cilësimi si dëshmitarë për, Skender Halilaj, Luan Deliu dhe Milaim Zeka, kurse mbeti pranë propozimit që të dëgjohen dëshmitarët Avni Gjinovci dhe Taulant Prenku.

Ndërsa u dakordua me kryetaren e trupit gjykues Alltëne Murseli, që të ftohen sërish dëshmitarët Afërdita Qorri dhe Ismet Qorri, pasi të njëjtët nuk patën mundësi të dëshmojnë sot, për shkak të gjendjes shëndetësore të njërit nga dëshmitarët, gjendje për të cilën s’ishte e njoftuar Gjykata.

Seanca e radhës u caktua për datën 6 prill në ora 9:30.

Kujtojmë se ish- Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka pranuar fajësinë për veprën penale të kanosjes, ndaj avokatit Gazmend Halilaj. Me të pranuar fajësinë për veprën penale të kanosjes, ndaj Sami Lushtakut është veçuar procedura penale.

Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen për veprat penale tentim vrasje e rëndë, dëmtim të pasurisë dhe armëmbajtje pa leje.

Të akuzuarit Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri pranuan fajësinë vetëm për veprën penale armëmbajtje pa leje ndërsa për tentim vrasje të rëndë dhe dëmtim të pasurisë u deklaruan të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020 pasi që i dëmtuari avokati Gazmend Halilaj, më 11 prill 2020 kishte postuar një shkrim në “Facebook” kundër Sami Lushtakut, i akuzuari Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes ndaj Gazmend Halilajt, së bashku me Xhelal Zeqirin më 14 prill rreth orës 15:50 në rrugën “Muhamet Gashi” në Gllogoc, në hyrje të rrugës i kanë zënë pritë te shtëpia e tij.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Ibrahim Lushtaku me veturën “Mistubishi” posa ka ardhur i dëmtuari Gazmend Halilaj me veturën “Nisan Qashai” e ka goditur veturën  e të dëmtuarit Halilaj duke e detyruar atë të dalë nga vetura e tij.

Sipas prokurorisë, pasi Halilaj është goditur nga vetura e të akuzuarit Lushtaku, ka dalë nga vetura e tij dhe ka filluar të ikë për t’iu shmangur sulmit. Në atë moment të akuzuarit kanë dalë me armë nga vetura duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit por nuk kanë arritur ta qëllojnë pasi ai kishte hyrë në një lokal.

Ndërsa Sami Lushtaku akuzohej se më 11 prill pasi e ka lexuar postimin e Gazmend Halilaj në Facebook që kishte të bënte me keqpërdorimin e 1.4 milion eurove  në kohën e luftës, e kishte thirrë në Viber të dëmtuarin Gazmend Halilaj duke e kanosur dhe kishte kërkuar nga ai që t’i fshijë ato shkrime.

Aktakuza thotë se Lushtaku e kishte sharë, fyer dhe me qëllim të frikësimit e ka kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardhë me t’kall nuk kam me e lanë” me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Po ashtu Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohet se nga data e panjohur e deri më  22 prill pa lejen e organeve kompetente kanë mbajtur  pistoletat e tipit “Ekol” të kalibrit 9 mm dhe “Crvena Zasatava” të kalibrit 9 x 19 mm.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që ndaj Ibrahim Lushtakut dhe Xhelal Zeqirit të vazhdojë paraburgimin.

Gjithashtu Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që vetura e markës “Mistubishi” dhe pistoletat e tipit “ Ekol” dhe “Crvena Zasatava” të konfiskohen.