Prokuroria ka zgjidhur rreth 21 mijë raste për 6 muaj

Prokuroria e Shtetit sot ka njoftuar për hartimin e raportit punues  për 6 mujorin e parë të vitit.

Prokurori i Shtetit, sipas këtij raporti, nga janari deri në qershorin e këtij viti ka pranuar 20 mijë e 32 kallëzime penale ndërsa ka zgjidhur 20 mijë e 932 të tilla, 891 kallëzime penale më shumë se sa që ka pranuar gjatë periudhës raportuese.

Departamentet e Krimeve të Rënda kanë zgjidhur 231 kallëzime penale, Departamentet  për të Mitur kanë zgjidhur 134, ndërsa Departamentet e Përgjithshme kanë  zgjidhur 801 kallëzime penale.

Sipas raportit, nga këto kallëzime penale të zgjidhura nga Departamentet e Prokurorive rezulton se për korrupsion janë pranuar 297 raste ndërsa janë zgjidhur 2779 raste.

Ndërsa për krime ekonomike ishin pranuar 225 raste e janë zgjidhur 248 të tilla.

Për veprat penale të krimit të organizuar janë pranuar 38 raste prej të cilave 4 janë zgjidhur.

Prokurori i Shtetit përmes procedurave alternative ka zgjidhur 670 raste ndërsa me urdhër ndëshkimor janë zgjidhur 750 raste.

Rastet e trajtuara me prioritet nga Prokurori i Shtetit  për  trafikimin e  qenieve njerëzore janë pranuar 96 prej të cilave janë zgjidhur vetëm 9 raste.

Sa i përket dhunës në familje Prokurori i Shtetit ka pranuar 1662 raste prej të cilave janë zgjidhur 699 raste ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura 963 raste.

Sfidat të cilat i ka numëruar Prokurori i Shtetit, janë ballafaqimi me pandeminë e covid-19, rastet e trashëguara nga vitet paraprake për persona të panjohur, menaxhimin e lëndëve përmes programit SMIL, bashkëpunimi juridik ndërkombëtar për krime të luftës.