llustrim

Prokurori kërkon ndërprerjen e pagesave për 31 veteranë të UÇK-së nga Shqipëria

E akuzuara Sanije Rexha, pasi u ballafaqua me akuzen e Prokurorisë, për keqpërdorimin e detyrës për 31 certifikatat e statusit të veteranit dhe ushtrim ndikimi u deklarua e pafajshme.

“Absolutisht nuk e pranoj”, u deklarua tani e akuzuara Sanije Rexha.

Ajo është gruaja e Abedin Rexhës, komandant ‘Sandokanit’ i vrarë gjatë luftës, dhe motra e ish luftëtarit të UÇK-së, Sabit Geci.

I pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari tjetër Kushtrim Bala.

Ndërsa në seancë prokurori i rastit Blerim Isufaj kërkoi nga gjykata ndërprerjen e pagesave për 31 përfituesit deri në përfundim të këtij gjykimi.

“Aktakuza përmban prova të mjaftueshme për caktimin e masës së përkohshme preventive ndërprerjen e pagesave të përfitueseve të statusit të veteraneve sepse për muaj sillet rreth 5,030 euro, për të cilët  prokuroria ka gjetur se po fitojnë kundërligjshëm deri në përfundim të kësaj procedure” tha prokurori Blerim Isufaj.

Foto: Kallxo.com

Avokati Gazmend Haliti tha se e lë në dorë të gjykatës të vendosë për këtë kërkesë të prokurorit pasi “kjo nuk ka të bëjë me të mbrojturën time”.

Avokati Muhamet Muja, mbrojtës i të akuzuarit Kushtrim Bala, deklaroi se nuk e kundërshton deri sa të vërtetohet sa janë njëmend veteranë a jo.

Ndërsa lidhur me masën e përkohshme për pezullimin e pagesave të 31 përfituesve të statusit të veteranëve, gjykata do të vendosë jashtë seancës.

Gjykatësi i rastit Musa Kongjeli i njoftoi palët me te drejtën e paraqitjes së kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Me 16 dhjetor të këtij viti Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Sanije Gecit dhe Kushtrim Balës. Ata dyshohen se gjatë muajit tetor 2017, në bashkëveprim duke i shfrytëzuar pozitat e tyre kishin tejkaluar kompetencat dhe pa autorizim kishin marrë 31 formularë për njohje të drejtës së veteranit të luftës dhe kishin shkuar në Krumë të Shqipërisë që t’i plotësonin këta formularë nga 31 shtetas të Republikës së Shqipërisë.

Prokuroria thotë se formularët e mbushur në Shqipëri u dorëzuan në Kosovë në DIFDL të MPMS, dhe aplikuesit përfituan nga statusi i veteranit të luftës 133,280 euro në mënyrë të kundërligjshme,  edhe pse formularët nuk u dorëzuan personalisht nga aplikuesit.

Dosja për motrën e Sabit Gecit: Si u bënë veteranë të UÇK-së shtetasit e Shqipërisë?

Gjithnjë sipas prokurorisë, Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala si persona zyrtarë, më 16 janar 2019 në zyrën e Sanije Rexhës kishin ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren për pranimin e formularëve në DIFDL të MPMS Vlora Blakqori për pranimin e 4 formularëve të sjella nga Sokol Poga, shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Prokuroria thotë se zyrtarja Vlora Blakqori pranoi formularët e panënshkruara nga aplikuesit ndërsa i akuzuari Kushtrim Balaj, i kishte fotokopjuar certifikatat origjinale duke ndalur për vete kopjet e certifikatave dhe certifikatat origjinale ia kishte kthyer Sokol Pogës.

Qëllimi i pranimit të këtyre dokumenteve ishte që të sigurohej përfitimi i statusit të veteranit të luftës dhe kompensimi për këtë status.

Gjykatësi i rastit është Musa Kongjeli, i cili me të pranuar aktakuzën nga Prokuroria Speciale e ka caktuar seancën e parë për  këtë gjykim me datën 6 janar.

Ndërsa aktakuzën do ta përfaqësojë prokurori i rastit Blerim Isufaj i cili së fundmi është zgjedhur Kryeprokuror i prokurorisë Speciale.