llustrim

Dosja për motrën e Sabit Gecit: Si u bënë veteranë të UÇK-së shtetasit e Shqipërisë?

Sanije Rexha, e veja e komandant “Sandokanit” tani të ndjerit Abedin Rexhës dhe e motra e Sabit Gecit ish eprorit të UÇK-së sot do  ballafaqohet me aktakuzën e prokurorisë për keqpërdorime me dosjet e Veteranëve.

Aktakuza përshkruan se Rexha së bashku me Kushtrim Balajn si  zyrtar të Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm  në DIFDL të Ministri të Punës dhe Mirëqenies Sociale  gjatë vitit 2017 kanë plotësuar 31 formuarë të veteranëve.

Në aktakuzë po ashtu është treguar se personat që u regjistruan si veteranë janë të vendbanimeve të ndryshme, sic janë një nga Tirana, një nga Kamëza, një nga Vranishti, një nga Dajti, 8 nga Kruma, një nga Nikoliqi, 8 nga Kukësi, 4 nga Tropoja, një nga Muji, një nga Shkodra si dhe dy nga Durrësi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Rexha dhe Balaj pasi i plotësuan formularët i kanë sjellur në Kosovë dhe i kanë dorëzuar në departamentin ku ata punojnë në MPMS-së, edhe pse formularët e aplikimit duhej dorëzuar personalisht nga aplikuesit.

“Aplikuesit deri më 30 nëntor të vitit 2019 përfituan nga statusi i veteranit të luftës në shumë prej 133 mijë e 280 euro dhë në të njëjtën kohë në këtë shumë personat e përmendur në këtë dispozitiv përfituan në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet tutje në aktakuzë.

Sipas prokurorisë, Rexha dhe Balaj kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.

Aktakuzë për ta është ngritur edhe për ushtrim ndikim ndaj personave brenda MPMS-së.

Prokuroria thotë se e akuzuara Sanije Rexha dhe Kushtrim Balaj, ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren për pranimin e katër formularëve, Vlora Blakçori, për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë, Sokol Pogba nga Shqipëria.

“Edhe pse formularët nuk ishin të nënshkruar nga aplikuesit, zyrtarja Vlorë i pranoj ndërsa i akuzuari Kushtrim Balaj e njoftoj Sanijen se zyrtari i autorizuar për pranimin e dokumenteve nuk është Hyzriu por Vlora, dhe i fotokopjoj certifikatat origjinale duke i ndalur fotokopjet dhe ia kthej Sokol Pogbës origjinalet, e krejt këtë qëllim që këtyre katër personave t’u siguroj pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën për kompensim për këtë status”, thuhet tutje në aktakuzë.

Gjykatësi i rastit është Musa Kongjeli, i cili me të pranuar aktakuzën nga Prokuroria Speciale e ka caktuar seancen e parë për  këtë gjykim me datën 6 janar.

Ndërsa aktakuzën do ta përfaqësojë prokurori i rastit Blerim Isufaj.

Në këtë seance dy të akuzuarit pritet të deklarohen rreth fajësisë.