Prokurori flet për motivet e vrasjes në Repë të Podujevës

Sot rreh orës 13:00 një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur në fshatin Repë të Podujevës.

Prokurori kujdestar, Armend Hamiti për KALLXO.com ka folur për motivin e vrasjes në fshatin Repë të Podujevës,

Hamiti ka thënë se motivi i vrasjes dyshohet të jetë një pronë. Ai ka thënë se dyshimet fillestare flasin se konflikti ka nisur për shkak të një kontesti pronësor, mirëpo sipas tij nevojiten hetime shtesë dhe pritet të merren deklaratat e para të dëshmitarëve.

Nga ngjarja e ndodhur në fshatin Repë në Podujevë, përpos një viktime edhe një person tjetër është plagosur nga përdorimi i armës.

Prokurori Hamiti për KALLXO.com tha se nga informacionet e fundit që ka marrë i plagosuri është operuar dhe është në gjendje stabile shëndetësore.

Policia e Kosovës menjëherë pas ngjarjes së ndodhur bashkë me Prokurorin e Krimeve të Rënda kanë dalur në vendin e ngjarjes.

“Më 18.07.2020 në orën 13:04, policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Repë të Podujevës. Menjëherë për në vend-ngjarje janë nisur njësitë policore. Është njoftuar edhe ekipi mjekësor emergjent. Nga përdorimi i armëve të zjarrit një person ka humbur jetën, kjo është konstatuar nga ekipi mjekësor, një person tjetër është i plagosur”, ka thënë më herët për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.