Ilustrim

Rrjedhja e informacioneve, kamerat e përgjimeve filmuan policet e krimeve ekonomike

Pajisje përgjimi të montuara në zyrat e qendrës për patent-shoferë në Prishtinë pretendohet se kanë zbuluar njërin nga skandalet e fundit që përfshiu njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Dy eprorë të kësaj njësie Naim Thaqi e Sylë Bejta u arrestuan para disa javës me dyshimin se kishin zbuluar informacione të hetimeve. Megjithatë mbrojtja ka ngritur dyshime se arrestimi i tyre është qërim hesapesh brenda njësisë pasi, sipas tyre, dy persona për të cilët ka prova nuk janë arrestuar.

KALLXO.com ka siguruar një dokument të prokurorisë ku ndër të tjera përshkruhen veprimet të cilat dy eprorët i kishin ndërmarrë.

Njësia e Krimeve Ekonomike kishte nisur disa muaj më parë një hetim për qendrën e patent-shoferëve në Prishtinë. Në kuadër të këtij hetimi, gjykata kishte autorizuar që në zyrat e qendrës të vendoseshin çimka (paisje të fshehta përgjimi) me qëllim që të zbuloheshin pazaret të cilat kryheshin në këto zyra.

Rezultatet nga analizimi i çimkave çuan në arrestimin e 19 personave përfshirë zyrtarë të patent-shoferëve.

Kur analizuan pamjet e filmuara nga çimkat, njësiti që po kryente përgjimin kuptuan se në dy situata dy eprorët e policisë të njësisë së Krimeve Ekonomike kishin takuar në zyrën e tij njërin nga zyrtarët e patent-shoferëve.

Dy zyrtarët Naim Thaqi e Sylë Bejta ishin duke punuar në njësinë e Prishtinës e cila ishte duke zhvilluar këtë hetim.

Dyshimet e prokurorisë

Dokumenti i KALLXO.com shpjegon se më 15.05.2019, i pandehuri Naim Thaqi kishte qëndruar për pesë minuta në zyrën e koordinatorit të qendrës për patent-shoferë në Prishtinë. Llugaliu në atë kohë ishte duke u përgjuar nga policia.

Prokuroria në provat e saj pretendon se Thaçi e kishte njoftuar Llugaliun për veprimet e ndërmarra nga njësia e krimeve ekonomike.

Në një takim tjetër poashtu të mbajtur me datë 26.06.2019, të dyshuarit Naim Thaqi dhe Sylë Bejta, e kishin njoftuar Llugaliun se ishte nën përcjelljen e policisë.

KALLXO.com ka siguruar edhe pretendimet që Thaqi e Bejta i kanë për këto pretendime në seancën e mbajtur para gjykatësit të procedurës paraprake.

Aty mbrojtja e policit Naim Thaqi ka thënë se ai nuk kishte zbuluar të dhënat por që ditën kur kishte vizituar qendrën kishte shkuar për të paguar paraqitjen e provimit për vajzën.

“Është e vërtetë që klienti është takuar rastësisht me Naser Llugaliun por gjykata duhet ta dijë se Naser Llugaliu është njohës që njihet i mbrojturi im me të që nga para lufta dhe momentin ku konkretisht vëllai i Naseri Fatmiri ka qen në shkollë së bashku andaj me qen se Naseri Llugaliu e ka parë të mbrojturin tim Naim Thaqin e ka ftuar ne zyrën e tij, gjatë këtij qëndrimi i mbrojturi im apsolutikisht as nuk e ka informuar dhe as nuk ka pasur njohuri që është duke u zhvilluar ndonjë hetim tjetër me ndonjë person ne qendrën e regjistrimit të patentë shoferit”, citohet të ketë thënë avokati Fatlum Podvorica.

Në mbrojte të policit tjetër Sylë Bejta është angazhuar ish kryeprokurori i Prishtinës tani avokati Imer Beka. Në procesverbalin e siguruar nga KALLXO.com, avokati Beka ka thënë se klienti i tij ishte vizituar qendrën e regjistrimit me një qëllim tjetër dhe atë për t’i ndihmuar një të afërmi të tij.

Madje në seancë, avokati Beka ka ngritur dyshime se persona të tjerë janë llarguar nga rasti.

“Unë dyshoj që i mbrojturi im rreshteri Sylë Bejta ka insistuar me dit se pse dy persona u larguan nga hetimet, është interesant fakti qe nuk e tha Syla se këta persona janë të një vendi -indikacion se e rrok paniku bartësin e rastit në polici që nuk i ndalu personat që i ka vendas dhe insistimi i rreshterit se për tu gjetur ata person ose arsyeja pse nuk janë përfshi ai gjat arrestimit i kanoset të mbrojturit tim gjate aksionit për  zbatimin e planit për arrestim më ka kanosur me fjalët ki me pa ti poshtë”, citohet avokati Beka.

Në mbrojtjen e tij i pandehuri Sylë Bejta ka deklaruar se me datë 25 ka qenë në stacionin e autobusëve dhe arsyeja e shkuarjes ka qenë se në familjen e gruas e kemi një djalë i cili është rast social pasi që nën dhe babai jetojnë ndaras prej tij.

”Kam shkuar dhe e kam takuar Naserin dhe i kam kërkuar t’i ndihmoj këtij djali ta kalojë testin pasi ai testet në shtëpi po i plotëson mirë por në provim për shkak të stresit është duke dështuar”, citohet Bejta në dokument.

Ai ka kujtuar para gjykatës takimin me të dyshuarën Magbule e cila i kishte përmendur faktin që dy njerëz të fortë nuk janë arrestuar gjatë operacionit.

Dy hetuesit e krimeve ekonomike tashmë janë nën masën e paraqitjes në stacionin policor ndërsa nuk ka të dhëna nëse prokuroria ka trajtuar tutje pretendimet se dy persona të fuqishëm nuk janë arrestuar.