Shpallja e akgjykimit dënues pë planifikimin e sulmeve terroriste - 04.09.2019

VIDEO - Planifikonin sulme terroriste ndaj KFOR-it, diskotekave në Graçanicë dhe Kishës Ortodokse, dënohen me 25 vite burgim

Gjashtë të akuzuarit për planifikimin sulmeve terroriste ndaj KFOR-it, dhe disa diskotekave e kishave ortodokse serbe në Kosovë janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me 25 vite burgim nga Gjykata e Prishtinës.

Shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarve Bujar Behrami, Resim Kastrati, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leutrim Musliu dhe Edona Haliti e bëri trupi gjykues i përbërë nga kryetari Mustafë Tahiri dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Nushe Kukaj Mekaj.

Të dënuarve Gjykata ua ka shqiptuar gjithsej 25 vite e 9 muaj burgim. 10 vite për Bujar Behramin, 4 vite për Resim Kastratin, 7 vite për Gramos Shabanin, 1 vit për Edona Halitin, 1 vit e 6 muaj për Albert Ademaj si dhe 2 vite e 3 muaj për Leutrim Musliun.

Gjykata si dënim plotësues ka urdhëruar konfiskimin e shumës së të hollave prej 9001 euro e 46 cent nga Bujar Behrami si dhe konfiskimin e armës së zjarrit, pushkë automatike dhe 40 fishekë nga Leutrim Musliu.

Shpallja e akgjykimit dënues pë planifikimin e sulmeve terroriste – 04.09.2019

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Gramos Shabani ishte i angazhuar për të kryer sulme terroriste në shtetin e Belgjikës, ndërsa bashkëshortja e tij Edona Haliti akuzohet se është përfshirë në veprime të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Bashkë me dy bashkëshortët në këtë grup akuzoheshin edhe Bujar Behrami, i njohur me nofkën ‘Ebu Musab El –Albani’, Resim Kastrati –  me nofkën ‘Pc Habibi’, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu.

Shpallja e akgjykimit dënues pë planifikimin e sulmeve terroriste – 04.09.2019

Sipas Prokurorisë ky grup i përbërë prej gjashtë personave kishte paraparë sulme terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, sulme terroriste ndaj diskotekave në Graçanicë, sulme në kishën ortodokse në Mitrovicën Veriore, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe sulme terroriste në Francë e Belgjikë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale përshkruhej edhe synimi i formimit të një organizate e cila do të përgatiste sulme terroriste dhe vetëvrasëse në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Bujar Behrami dhe Resim Kastrati akuzoheshin se që nga dhjetori  i vitit 2017 e deri më 29 qershor 2018 kishin përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Bujar Behrami njëkohësisht akuzohej se kishte tentuar të krijojë grupin me emrin  ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, grup që do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste.

Caku i përzgjedhur për t’u sulmuar ishin diskotekat “Kamboxha”, dhe “Insomnia”,  në Graçanicë si dhe kisha ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Aktakuza sqaronte se detyra e furnizimit me armë, materie eksplozive dhe gjetja e personave për vendosjen e jelekëve me eksplozivë sipas aktakuzës i ishte ndarë Resim Kastratit.

Kastrati për sigurimin e materieve eksplozive dhe armëve të zjarrit kishte pranuar rreth 9,000.00 euro, përmes “Money Gram”, dhe “Western Union”, thuhej në aktakuzë.

Dy të akuzuarit e fundit, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu akuzoheshin se edhe pse kishin pasur njohuri dhe kishin qenë të informuar se të pandehurit Bujar Behrami dhe Resim Kastrati ishin duke përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe duke qenë në kontakte të vazhdueshme me ta, nuk i kishin lajmëruar veprimet e tyre inkriminuese.

Shpallja e akgjykimit dënues pë planifikimin e sulmeve terroriste – 04.09.2019

Kallxo.com ka raportuar vazhdimisht për rrjedhën e këtij gjykimi.