Foto-ilustrim

Përfundon gjykimi i zyrtarëve të KEK-ut, të akuzuar se përvetësuan 254 kilogramë ngjitës

Në gjykimin e Ejup Grajqevcit e Vehbi Dragushës, depoistë në Divizionin e Thëngjillit në KEK, dhe të Fahri Fejzullahut, është dhënë fjala përfundimtare.

Ata po gjykohen për përvetësim të 254 kilogramëve ngjitës.

Prokurorja e shtetit, Merrushe Llugiqi, në fjalën e saj përfundimtare deklaroi se nga administrimi i të gjitha provave dhe dëshmive në shqyrtimin gjyqësor në mënyrë të plotë është vërtetuar se të pandehurit Vehbi Dragusha, Ejup Grajqevci dhe Fahri Fejzullahu kanë kryer veprën penale – përvetësim në detyrë, për të cilën janë akuzuar ashtu siç është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës. Andaj i ka propozuar Gjykatës së Prishtinës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Shukrije Miftari, fjalën përfundimtare e kishte përgatitur në formë të shkruar.

I akuzuari Vehbi Dragusha në fjalën përfundimtare deklaroi se ky rast është i manipuluar për shkak se, sipas tij, janë manipuluar edhe provat përkatëse, të cilat kanë mundur ta zbulojnë rastin, siç janë kamerat.

“Kanë bërë lëshime në prova siç është alarmi dhe të tjerat dhe numri adekuat i gjendjes faktike në depo që bjen në dyshim se sa është sasia e ngjitësit që mungon”, tha ai.

Më tej, i akuzuari Dragusha tha se përfaqësuesi i IT, Atdhe Syla, sqaron në detaje se në çfarë kohe janë lëshuar kamerat, në ora 07:08 minuta, por nuk tregon se në çfarë kohe janë ndalur kamerat dhe nuk tregon lëvizjet dhe incizimet e kamerave në çfarë momenti ka mujtë dikush me i ndalë dhe me i lëshuar kamerat.

I akuzuari Fahri Fejzullahu në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se së pari, depoja e ka një depoist e jo 3.

“Unë nuk kam pasur lidhje në këtë punë. Unë kam qenë vetëm dhënës i materialit dhe nuk kam qenë përgjegjës, dhe e konsideroj veten të pafajshëm lidhur me këtë rast, pasi që unë në punën në depo nuk kam qenë përgjegjës i materialit e as depoist, dhe kërkoj nga Gjykata ta gjejë fajtorin se kush e ka bërë këtë vepër. Ndërsa sa i përket anës sime unë nuk kam pasur lidhje në këtë punë, se unë pas orës 3 nuk kam të drejtë as me qenë brenda në repart të depos”, tha ai.

Edhe i akuzuari Ejup Grajqevci në fjalën e tij përfundimtare  deklaroi se nuk është fajtor për veprën penale e cila i vihet në barrë, duke mohuar akuzat e Prokurorisë.

Gjykata shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor në këtë çështje penale.

Shpallja e aktgjykimit u caktua për më 29 janar.

Skandali në gjykimin për vjedhjen në KEK – Policët nuk kishin marrë asnjë provë në vendin e ngjarjes

Aktakuza e Prokurorisë ngarkon 3 ish-depoistë të KEK-ut për përvetësimin e 245 kg ngjitës të thëngjillit.

Gjithnjë sipas Prokurorisë më 17 maj 2012, Ejup Grajqevci dhe Vehbi Dragusha depoistë në Divizionin e Thëngjillit në KEK, së bashku me Fahri Fejzullahun si dhënës të mallit të depos me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë përvetësuar 245 kg ngjitës të thëngjillit duke i shkaktuar dëm KEK-ut në shumë prej 5,115.06 euro.