Seanca për vjedhjen në KEK

Skandali në gjykimin për vjedhjen në KEK - Policët nuk kishin marrë asnjë provë në vendin e ngjarjes

Ejup Graiçevci, Vehbi Dragusha depoist në Divizionin e Thëngjillit në KEK, së bashku me Fahri Fejzullahun, të akuzuar nga Prokuroria për përvetësimin e 254 kilogramëve ngjitës janë ballafaquar në Gjykatë më rrëfimet e dëshmitarëve.

Në gjykimin ndaj tyre, hetuesja policore Sevdije Borovci në cilësinë e dëshmitares deklaroi se: “Nuk kemi marrë shenja gishtash në vendin e ngjarjes e as prova materiale’’.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Violeta Namani dhe Alltën Murseli e Naser Foniqi kanë ftuar të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve zyrtarët policorë Sevdije Borovci dhe Halit Xhemjali.

Hetuesja policore Sevdije Borovci kishte përpiluar raportin e vendit të ngjarjes, ndërsa hetuesi policor Halit Xhemjali kishte ngritur kallëzimin penal ndaj Vehbi Dragushës, Ejup Graiçevci, Fahri Fejzullahu për përvetësimin e 254 kilogramëve ngjitës.

Në rrëfimin e saj hetuesja policore në cilësinë e dëshmitares Sevdije Borovci tha se: “Në vitin 2012 isha hetuese policore në Obiliq, me datën 17 maj 2012  kemi marrë informatën se ka ndodhur një vjedhje në ‘’Kosova-A’’ në KEK”.

“Kemi shkuar në vendin e ngjarjes, aty kemi kuptuar se ishte vjedhur ngjitës por nuk më kujtohet se sa pako ishin vjedhur’’, deklaroi dëshmitarja Sevdije Borovci.

Tutje ajo për Gjykatën tha se pas shikimit të vendit të ngjarjes kanë konstatuar se vjedhja nuk ishte kryer me dhunë, nuk kishte thyerje të derës e as dritareve, dera e depos ishte hapur me çelës.

“Aty ishin 3 persona përgjegjës për depon të cilët posedonin e çelësat”, vazhdoi tutje dëshmitarja Borovci.

“Vendi i ngjarjes kishte kamera por ishin jo funksionale sepse e kishin të hapur kapakun që nënkupton se çdo kush ka mundur t’i kyç dhe t’i ç`kyq kamerat nga rryma”, tha ajo.

Ndërsa për kohën kur ishte kryer vjedhja dëshmitarja Borovci deklaroi se vjedhja ka ndodhur natën.

E pyetur nga trupi gjykues se a kishin marrë gjurmë të gishtave në pakot e mbetura dëshmitarja Borovci tha se: “Nuk kemi marrë gjurmë të gishtave dhe asnjë provë tjetër materiale’’.

E pyetur nga i akuzuari Vehbi Dragusha, se a keni shkuar për t’i  marrë incizimet nga Qendra e Monitorimit të KEK-ut, dëshmitarja tha nuk kanë shkuar në Qendrën e Monitorimit të kamerave të KEK-ut dhe se kanë biseduar vetëm me menaxherin e kamerave.

I sfiduar tutje nga i akuzuari Vehbi Dragusha se: “A keni shkuar në Qendrën e Alarmeve të KEK-ut për të marrë orën e saktë të hapjes së depos?”.

Dëshmitarja Sevdije Borovci tha se: “Nuk ishte punë e imja me shku në qendër, mua më ka interesu vetëm kush ishte përgjegjës për depo’’.

Policja Sevdije Sogojeva ishte sfiduar edhe me pyetjen e të akuzuarit Ejup Graiçevci se: “Kur keni shikuar vendin e ngjarjes a keni shkruar në raport për gjurmët e makinës që ishin në depo?’’.

Dëshmitarja Sogojeva tha se: “Nuk më kujtohet të ketë pasur diçka tjetër përpos pakove në vendin e ngjarjes e as shenjat e makinës për të cilën pretendoni nuk e di çka shkruan në raport’’.

Ndërsa i akuzuari Fahri Fejzullahu, pyeti të akuzuarën se: “A ka pasur e fletëdalje të ngjitësit prej 1 kilogram e 300 gramë’’, dëshmitarja Sevdije Borovci deklaroi se: “Nuk e di’’.

Seanca për vjedhjen në KEK

Sipas Prokurorisë me aktakuzë ngarkohen 3 ish-depoist të KEK-ut për përvetësimin e 245 kg ngjitës të thëngjillit.

Gjithnjë sipas prokurorisë me datën 17 maj 2012,  Ejup Graiçevci dhe Vehbi Dragusha depoist në Divizionin e Thëngjillit në KEK, së bashku me Fahri Fejzullahun si dhënës të mallit të depos me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë përvetësuar 245 kg ngjitës të thëngjillit duke i shkaktuar dëm KEK-ut në shumë prej 5,115.06 euro.

Seanca e radhës është caktuar me datën 6 dhjetor.