Pas rinisjes së gjykimit për vrasjen e Agonis Tetajt, pala e të akuzuarit konteston ndryshimin e cilësimit juridik

Procesi gjyqësor për vrasjen e Agonis Tetajt ka vazhduar sot në Gjykatën e Pejës me një aktakuzë të ndryshuar sa i përket cilësimit juridik.

Shaban Gogajt tani i bie në barrë vepra penale e vrasjes së rëndë, për dallim nga kualifikimi që ishte bërë nga prokurori Agron Uka, i cili të akuzuarin Gogaj e ngarkonte më vepër penale të vrasjes nga pakujdesia.

Sot në seancë gjyqësore prokurori i ri i këtij rasti Isuf Sadiku bëri me dije se mbetet pranë akuzës së parë – atë të vrasjes së rëndë të Agonis Tetajt.

Reagime për këtë ndryshim të aktakuzës pati nga mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Besnik Berisha i cili e quajti të kundërligjshme këtë aktakuzë.

“Aktakuzën e konsiderojmë të kundërligjshme, të parashtruar në një fazë kur është e ndaluar keqësimi i pozitës së të pandehurit, e në veçanti marrë parasysh që aktakuza më të cilin ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor i rihapur me datën 19, më qellim të plotësimit me prova të reja e ka mundësuar klientin tim mos të deklarohet për këtë aktakuzë, që është gjithçka, përveç e ligjshme dhe e drejtë”, tha Berisha.

Berisha po ashtu paraprakisht tha se veprimi i gjykatës përkitazi me rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, është i kundërligjshëm dhe do të lë njollë në historinë e drejtësisë.

Ndërsa Shaban Gogaj e Isuf Cacaj nuk pranuan të deklarohen rreth cilësimit të ri të aktakuzës.

Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjoheshin 4 zyrtarë policor, por ajo përfundoi me dëgjimin e vetëm zyrtarit policor, Skënder Sejfiaj.

Trupi gjykues ka ndaluar publikimin e dëshmive të këtyre dëshmitarëve, deri në përfundimin e dëshmive të secilit.

“Kërkojmë nga mediat e pranishme që mos të publikohen deklaratat e dëshmitarëve deri në përfundim të tyre, meqenëse të gjithë janë kolegë mes veti, me qellim që mos të ndikohet deklarata e dëshmitarëve tjerë”, tha kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj – Rugova.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 28 dhe 29 qershor.

Kallxo.com ka raportuar edhe gjatë ditës për këtë seancë.

Babai i Agonis Tetajt kthehet në sallën e gjykimit  (FOTO)