Nisin hetimet për mësuesin e dyshuar për dhunë ndaj nxënësit në Ferizaj

Policia ka nisur hetime lidhur me disa  pamje që janë transmetuar në media ku shihet se një mësues në Ferizaj rrah një nxënës.

Drejtoresha e shkollës “Enver Topalli” në  fshatin Greme, Arta Sejdiu, për Kallxo.com tha se për rastin janë njoftuar nga mediat.

“Për rastin jemi njoftuar nga ana e mediave. Për këtë rast ne kemi me i dergu dikur sot ose neser një raport ne DKA Ferizaj, jemi duke u munduar të mbledhim të gjitha provat dhe të dhënat lidhur me ngjarjen”, tha ajo.

Ajo shtoi se  “Rasti nuk është i këtij viti por i vitit të kaluar ose para dy vite por  këtë më mirë e heton edhe policia”.

Sipas drejtoreshës dhe sekretarit të shkollës Enver Topalli nxënësi nuk është identifikuar ende por që janë të sigurt që nxënësi nuk është aktualisht nxënës në këtë shkollë.

E pyetur edhe për mësimdhënësin e njëjta deklaroi se ai sot nuk gjendet në shkollë.

Drejtoria e Arisimit në Ferizaj  sot ose nesër pritet të marrë vendim lidhur me mësimdhënësin në fjalë, të njëjtët theksuan se së pari do të mbahet një mbledhje dhe pas asaj të do të dalin me një vendim sepse janë në pritje të një raporti lidhur me rastin nga shkolla “Enver Topalli “ .

Zëdhënësi i policisë së Ferizajt Agim Gashi për Kallxo.com tha se ka filluar mbledhja e provave për këtë rast.

“Policia me të marrë informacionin  në konsultim me prokurorin e shtetit ka filluar procedurën e mbledhjes së provave , për rastin në fjalë, deri tani kaq mund të themi “, tha ai.

Komuna e Ferizajt merr masa disiplinore ndaj mësuesit për ushtrim të dhunës fizike ndaj nxënësve