Foto: Komuna e Ferizajt

Komuna e Ferizajt merr masa disiplinore ndaj mësuesit për ushtrim të dhunës fizike ndaj nxënësve

Komuna e Ferizajt njofton se ka ndërmarrë masa disiplinore ndaj mësimdhënësit Xh.T. për ushtrim të dhunës fizike ndaj nxënësit të shkollës “Enver Topalli” në Greme.

Në një njoftim, Komuna thekson se pamjet që qarkulluan sot në media, ku shfaqej një video incizim ndërsa ushtrohej dhunë fizike nga mësimdhënësi me inicialet Xh.T. ndaj një nxënësi të shkollës fillore të mesme e ulët “Enver Topalli” në fshatin Greme, janë të papranueshme, të dënueshme, larg standardeve e traditës së sjelljes nga stafi i mësimdhënësve ndaj nxënësve.

Komuna e Ferizajt njofton se marrjes së informatave të plota lidhur me rastin, Drejtoria e Arsimit menjëherë ka nisur procedurën disiplinore dhe veprimet e tjera të parapara me ligj në rastet e tilla ndaj mësimdhënësit të lartcekur.

Po ashtu, Komuna e Ferizajt thekson se këto “pamje flasin qartë për nevojën e reformimit të thellë të sistemit tonë arsimor dhe si të tilla, janë të papranueshme për pushtetin lokal dhe të gjithë qytetarët që i kanë besuar fëmijët e tyre sistemit arsimor publik”.