Nënës që i ishte vrarë vajza kërkon dënimin me vdekje për të akuzuarin për krime lufte

Mbrojtja e të akuzuarit për krime lufte Goran Stanishiq ka kërkuar nga Gjykata e Apelit prishjen e vendimit të shkallës së parë.

Në Gjykatën e Apelit është mbajtur shqyrtimi gjyqësor, për të trajtuar ankesën e të akuzuarit Goran Stanishiq, i cili me vendim të Gjykatës Themelore është i dënuar me 20 vite burg.

Pas dëgjimit të gjyqtares referuese e cila tregoi rrjedhën e rastit dhe vendimin e shkallës së parë, fjala u është dhënë palëve të dëmtuara që ishin prezent në sallë.

“Unë si nanë e bijës së vrame kom me thanë se është e vrame pa faj, ky e meriton me u dënu me burg të përjetshëm a me vdekje, se ka dëmtu shumë familje, jo vetëm një”- tha nëna e njërës nga viktimat.

Kështu familjarët e viktimave kërkojnë nga gjykata që t`i lirojë të dalin nga seanca sepse nuk dëshirojnë të dëgjojnë mbrojtjen e të akuzuarit.

“A mundemi ne mos me ndëgju mbrojtjen e një krimineli”- tha një familjar tjetër.

Kryetari i Kolegjit, gjyqtari Burim Ademi, e aprovoi këtë kërkesë të familjarëve të viktimave dhe ata lëshuan sallën.

Shqyrtimi vazhdoi me avokatin Ljubomir Pantoviq, mbrojtës i të akuzuarit Goran Stanishiq, duke shprehur ankesën e tij kundër vendimit të shkallës së parë.

“Vendimi i shkallës së parë i ka të gjitha të metat që i kam paraqitur në ankesë, edhe prokuroria edhe gjykata nuk kanë vlerësuar si duhet të gjitha dëshmitë dhe provat, sepse ato i kanë parë vetëm provat që e akuzojnë të akuzuarin”- tha Pantoviq.

Pantoviq kërkoi nga Gjykata e Apelit që të prishet vendimi i shkallës së parë.

Ndërsa i akuzuari Stanishiq shprehu keqardhjen për përjetimet e njerëzve, por deklaroi se nuk ka lidhje me veprat për të cilat akuzohet.

“Unë shprehi keqardhje për atë se çka kanë përjetu njerëzit, mirëpo unë nuk mund të ndihem fajtor për veprat që nuk kam lidhje me to”- tha i akuzuari Goran Stanishiq.

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shqiptuar dënim me burgim prej 20 vitesh, Goran Stanishiqit të akuzuarit për pjesëmarrje në vrasjen e pesë familjarëve nga fshati Sllovi i Lipjanit.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999, si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Në aktakuzë thuhet se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë serbe.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë Speciale akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes NN vrasjen e NN dhe., NN, si dhe personave të tjerë të cilët sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetarë dhe ishin pushkatuar.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK