Foto ilustruese

Këto janë rekomandimet e kryetarëve të gjykatave të Kosovës pas takimit të sotëm

Mekanizmi i krijuar nga KGJK-ja – Asambleja e kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës, ka zhvilluar takim sot nën udhëheqjen e kryetarit të Asamblesë, njëherazi kryetari të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi.

Anëtarët e Asamblesë diskutuan lidhur me progresin në realizimin e projektit për pajisjen e sallave gjyqësore me pajisje të audio dhe video-incizimit. Më shumë rreth këtij diskutimi lidhur me një iniciativë që pritet ta modernizojë dhe ta rrisë transparencën e sistemit gjyqësor të Kosovës mund të lexoni këtu.

Në Asamble po ashtu u prezantuan rekomandimet e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin me njerëz. Lidhur me këtë çështje mund të lexoni në këtë link.

Anëtarët gjithashtu shqyrtuan kërkesën nga Dhoma Qendrore e Dëshmive pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë lidhur me shkatërrimin e sendeve që shërbejnë si prova në shqyrtimin gjyqësor, me ç’rast Asambleja konsideroi se KGJK mund të ofrojë sqarime dhe udhëzime se si të veprohet në këtë drejtim.

Gjatë takimit, Asambleja rekomandoi që të hartohet një udhëzues përmes të cilit përcaktohet mënyra e regjistrimit të seancave gjyqësore.

Në emër të ofrimit të qasjes së publikut nga jashtë dhe rritjes së transparencës së gjyqësorit ndaj publikut, Asambleja i rekomandoi KGJK-së të marrë vendim për publikimin e shkaqeve të dështimit të seancave gjyqësore nga secili gjyqtar në gjykatat e vendit.

Anëtarët diskutuan lidhur me dërgimin e aktgjykimeve te punëdhënësit në raste kur në aktgjykim përfshihet edhe dënimi plotësues (ndalim i ushtrimit të profesionit si dhe vendimet për suspendim nga puna), me ç’rast Asambleja rekomandoi që Gjykata Supreme dhe KGJK të shikojnë mundësinë për nxjerrjen e një udhëzuesi për mënyrën se si duhet vepruar në këto raste.

Gjatë takimit u diskutuan aktivitetet e gjykatave sipas Planit të veprimit për zbatimin e Strategjisë të Sundimit të Ligjit, si dhe aktivitetet e Planit të Punës së KGJK-së për vitin 2023. Asambleja bëri thirrje për angazhim më të madh drejt përmbushjes së këtyre aktiviteteve deri në fundvit.

Asambleja i rekomandoi KGJK-së që të marrë vendim për përcaktimin se në cilat raste mund të konsiderohet që kërkesat janë të përfunduara, për lëndët e fushës së përmbarimeve, ku gjykatat janë propozues për përmbarim, dhe sa u përket paushalleve gjyqësore.

Anëtarët diskutuan lidhur me trajtimin e çështjes së lëndëve paraprake në fushën penale, për të cilat ka kaluar afati kohor ligjor i zbatimit të hetimeve dhe ngritjes së aktakuzës, me ç’rast u rekomandua që të gjithë gjyqtarët me çështje të tilla në shqyrtim t’i drejtohen prokurorisë me kërkesa që të pushohen hetimet në këto raste.

Asambleja diskutoi lidhur me monitorimin dhe përditësimin e Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore, me ç’rast u bë thirrje për zbatimin e tij, identifikimin e problemeve dhe mangësive në punën e gjyqtarëve në zbatim dhe fushat ku ka nevojë për përmirësim.