Inçizimet shtyen seancën ndaj të akuzuarve Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi

Gjykimi ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit të akuzuar nga Prokuroria për mashtrim në bashkëkryerje u shty. Sipas gjyqtares së vetme gjykues, Medie Bytyqi, shqyrtimi gjyqësor lidhur me këtë rast ishte paraparë që të vazhdohej me shikimin e USB-së, e cila përmban inçizime lidhur me rastin në fjalë, provë kjo e propozuar nga prokurorja e çështje Rukije Sheshivari.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Hashimit dhe Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të 2011 e deri në korrik të 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit

Gjithnjë sipas aktakuzës qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka, pronar 80 % të aksioneve.

Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës Kardiologe ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro.

Lidhur me inçzimet, mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Rexhepi, avokati Admir Salihi tha se “Pas obligimit nga gjykata që prokuroria të na ofrojë të gjitha provat, obligim të cilin prokuroria e ka përmbushur përpos CD- apo video inçizimeve, me arsyetim se të njëjtat nuk i ka pasur në dispozicion në atë kohë për shkak se lënda fillimisht ka qenë në Ferizaj. Me mirëbesim jemi pajtu që deri te momenti i inçizimeve të vazhdojmë me administrim të prova të tjera dhe me dëshmitarë me qëllim që të mos zvarritet procedura, deri  sa të sigurohen këto CD. Edhe në shqyrtimin e dytë në pyetjen e gjyqtares se a i ka përmbush prokuroria të gjitha obligimet kam deklaruar se i ka përmbush të gjithat përpos CD-të”.

Më tutje Salihu shtoi se “Meqë tash kemi ardhur në përfundim dhe informatat që kemi në dijeni se janë 20 orë xhirime na duhet paraprakisht t`i shohim, t`i analizojmë dhe më pastaj konsiderojmë gjykim të drejtë, të kërkojmë edhe verifikim për autenticitetin e tyre e po ashtu të propozojmë edhe të njëjtat të mund të shpallen si të paligjshme, mirëpo paraprakisht kërkojmë kohë që t`i analizojmë ato dhe po ashtu t`i krahasojmë me transkriptet që janë në shkresat e lëndës”, tha avokati Salihu.

Prokuroja e shtetit Rukije Sheshivari, nuk e kundërshtoi propozimin e palës mbrojtëse dhe i propozoi gjykatës që të i jepet një kohë shtesë dhe në seancën e radhës të bëhet shikimi i video inçizime nga USB-ja.

Propozimin e Salihut, e mbështeti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Rrahim Hashimi, avokati Asdren Saramati, se para publikimit të këtyre video inçizimeve paraprakisht të iu jepet kohë t`i analizojnë ato.

Seanca e radhës u caktua me 6 shkurt.

 

Vendimi i gjykatës: Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi mbesin në paraburgim

.