Rrahim Hashimi - Foto: KALLXO.com

Apeli vërteton dënimet ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit  

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit, të cilët ishin dënuar nga shkalla e parë, për veprën penale mashtrim.

Gjykata e Prishtinës i kishte dënuar Kadri Rexhepin dhe Rrahim Hashimin në akuzat për mashtrim të Faton Dalladakut lidhur me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.

Rrahim Hashimi është dënuar me 3 vjet e 9 muaj, ndërsa i akuzuari Kadri Rexhepi me 3 vjet burgim.

 Apeli, përmes një komunikatë, ka njoftuar se i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës, dhe se e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës në Prishtinë.

Gjykata e Apelit ka gjetur se aktgjykimi i atakuar më ankesë, nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë dhe se drejt po ashtu janë aplikuar dispozitat e të drejtës materiale, thuhet në komunikatë.

Kurse sa i përket vendimit mbi dënim, Gjykata e Apelit gjithashtu ka vlerësuar se pretendimet ankimore, nuk qëndrojnë për faktin se gjykata e shkallës së parë drejtë i ka konstatuar dhe vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimeve, ashtu siç parashihet me ligj.

Dënohen Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi

Sipas aktakuzës, për ta mashtruar Dalladakun, të akuzuarit kanë përmendur lidhjet që ata pretendonin se kishin me Kadri Veselin e Xhavit Halitin, kryetarin, respektivisht anëtarin e kryesisë së PDK-së.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si njerëz të afër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku, duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka pronar i 80 % të aksioneve. Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës për Kardiologji ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro.